TITULLI TE BESA

Foto: FHK
Të pakonkurrencë, titulli i tetë rresht për Besa Famgas
Teksti: FHK
13 May, 2021 @0:39
Besa Famgas e Pejës ka vazhduar dominimin e plotë në hendbollin e Kosovës ndërsa të mërkurën mbrëma fitoi titullin e kampionit edhe për stinorin 2020/21.
Skuadra pejane i ka fituar të gjitha ndeshjet e këtij kampionati, duke përfshirë ato të plejofit. Në finale të plejofit, Besa Famgas ishte më e mirë se Prishtina. Derisa ndeshja e parë, e luajtur të shtunën në Pejë, ishte me rivalitet, të mërkurën në kryeqytet, pejanët kanë dominuar plotësisht. Në fund kanë fituar me rezultat të thellë, 39:32.
Për Besën është titulli i tetë rresht i kampionit. Prej pavarësimit të hendbollit kosovar, Besa ka fituar plot 17 tituj të kampionit. Periudhë të dominimit kishte edhe nga viti 2002 e deri në vitin 2007, por dominimi aktual po zgjat më shumë.
Në ndeshjen e dytë finale të plejofit, Besa Famgas nisi shkëputjen në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë nuk kishte rivalitet fare. Dhe epërsia e ekipit pejan shkoi duke u rritur, për të qenë në fund shtatë gola (39:32).
Më efikasi te Besa ishte Nikolla Prce me 9 gola dhe Yll Muqolli me 5. Nga 4 gola i shënuan Egzon Gjuka, Charalampos Mallios dhe Yll Visoka. Por ishte mbrojtja e fortë e Besës që e bëri dallimin.
Te Prishtina për efikasitet u shquan alot. Agon Bajqinovci shënoi 9 gola kurse Lulzim Shabani 7.
Kupën e kampionit, kapitenit të Besa Famgas, Nikolla Prce, ia dorëzoi presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.
KAMPIONËT:
Kampionët e Kosovës prej pavarësimit të sportit e deri më sot: 2020/21 Besa Famgas 2019/20 Besa Famgas 2018/19 Besa Famgas 2017/18 Besa Famgas 2016/17 Besa Famiglia 2015/16 Besa Famiglia 2014/15 Besa Famiglia 2013/14 Besa Famiglia 2012/13 Prishtina 2011/12 Besa Famiglia 2010/11 Kastrioti 2009/10 Kastrioti 2008/09 Prishtina 2007/08 Prishtina 2006/07 Besa Famiglia 2005/06 Besa Famiglia 2004/05 Besa Famiglia 2003/04 Besa 2002/03 Besa 2001/02 Besa 2000/01 Trepça 1999/00 Kastrioti 1998/99 (Kampionati nuk u zhvillua për shkak të luftës) 1997/98 Drita (kampione vjeshtore - kampionati u ndërpre për shkak të luftës) 1996/97 Besa 1995/96 Besa 1994/95 Prishtina 1993/94 Trepça 1992/93 Kastrioti 1991/92 Kastrioti |