KAMPIONATI BALLKANIK I ATLETIKËS
Sejdi Blakaj i artë në hedhjen e diskut
24 October, 2024 @8:10
Në kampionatin e 33-të ballkanik të atletikës, i mbajtur në Tivar të Malit të Zi nga data 26 deri më 29 shtator, morën pjesë 28 atletë nga Kosova, duke fituar mbi 25 medalje. Prej tyre, 4 medalje ishin të arta, përfshirë tre në garat e vrapimit të fituara nga atleti Muhamet Rama, i njohur si “super plaku”, dhe një medalje të artë në hedhjen e diskut nga atleti pejan, Sejdi Blakaj, në kategorinë e moshës 60-70 vjeç.
Gara e Sejdi Blakajt në hedhjen e diskut ishte ndër më të fortat e kampionatit, me një konkurrencë të ashpër deri në seritë e fundit. Në fund, Blakaj triumfoi me një rezultat prej 41.08 metrash, duke lënë pas atletin slloven Miro Prstec (40.67 metra) dhe serbin Slobodan Miladinovic (39.16 metra). Kjo ishte një fitore mbresëlënëse, pasi të dy atletët e tjerë nuk kishin humbur në dekadën e fundit.
Federata Atletike e Malit të Zi organizoi garën pa asnjë incident të përmendur, dhe gjatë shpërndarjes së medaljeve, kur përmendej emri i shtetit të Kosovës, nuk pati asnjë reagim të papërshtatshëm, duke e bërë këtë një moment të rëndësishëm për atletët dhe shtetin e Kosovës.