Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SPEKTAKËL FUTBOLLISTIK NË SUHAREKË

Thaqi ia mohon fitoren Ballkanit në fund!

Fotot: SCGjilani & FCBallkani/ fb

Thaqi ia mohon fitoren Ballkanit në fund!


29 October, 2024 @15:43

Ndeshje që kishte gjithçka dhe njëra ndër më të mirat e stinorit, nëse jo më e mira, u luajt sot në Suharekë, ndërsa Ballkani e Gjilani barazuan në fund, 3-3, në trillerin e vërtetë prej futbolli!

Gola, karton i kuq, vendime nga VAR, penallti, penallti e humbur dhe plot raste në një ndeshje mjaft interesante, dhuruan Ballkani i drejtuar nga Artim Pollozhani e Gjilani nga Ardian Nuhiu.

Loja nisi me gol për Ballkanin, kur pas një korneri dhe tollovie në zonë, topi ra pranë Lindon Emërllahut që goditi fortë për të shënuar dhe për t’ia dhënë epërsinë vendasve. Por, Gjilani tashmë në formë nuk kishte udhëtuar për dorëzim, derisa ish lojtari i Ballkanit Armend Thaqi shënoi nga largësia për barazim.

Mysafirët vazhduan me presion dhe më vonë gjetën edhe golin, kur qendërsulmuesi i tyre Senad Jarovic mbrojti mirë topin në pamundësi për shut, për t’ia dhënë Edi Basës mundësinë për shënim, gol me të cilin Gjilani mbylli pjesën e parë në avantazh 1-2.

Raste tjera kishte nga të dyja palët përgjatë 45 minutave të para, ndërsa mundësi të mirë ka pasur Bleart Tolaj dhe atë dy herë (17’, 20’). Kurse te mysafirët ishte Basa që për pak nuk shënoi (10’).

Pjesa e dytë nisi me Ballkanin e vendosur për All-In në zhargonin e pokerit, derisa kampioni fuqishëm kërkonte golin, të cilin e gjeti edhe pse rrezikonte prapa nga kundërsulmet e të kuqve mysafirë.

TABELA AKTUALE

Ishte braziliani Giovanni Ribeiro që shënoi bukur, duke plasuar topin e marrë nga qendërsulmuesi Sunday Adetunji. Prej këtij momenti nisën edhe zëvendësimet e shumta nga trajnerët e të dyja ekipeve, që ndërronin lojtarët.

Zëvendësuesi Bernard Karrica i dha avantazhin Ballkanit, pas një rasti ku gjyqtari kryesor e vlerësoi nga VAR se mbrojtësi i Gjilanit kishte luajtur me dorë. Pollozhani më pas i dha mundësi Elmando Gjinit, duke zëvendësuar Giovannin, por i posafuturi në lojë gaboi, ndërsa Jarovic ia mori topin duke ikur për të shënuar.

Ballkani vs. Gjilani --- match action view

Karton i kuq për Gjinin, pas vetëm një aksioni në lojë la Ballkanin me lojtar më pak në fushë. Gjilani kërkoi penallti për këtë faul të qëllimshëm, por gjyqtari sinjalizoi për goditje të lirë nga vija e 16-metërshit! Thaqi shutoi jashtë.

Gjilani me ngulm kërkoi mundësinë për gol, nuk e gjeti. Gjyqtari ftohet nga VAR në ndërkohë, derisa vlerësoi se Potoku kishte bërë faul në zonë gjatë kornerit të mysafirëve duke rrëzuar futbollistin mysafir! Penallti për Gjilanin, përgjegjësi e radhës për Armend Thaqin me përvojë.

Enea Koliçi me përvojën e tij duke e njohur mirë ish bashkëlojtarin, ia mbrojti penalltinë! Por, topin e dëbuar nga Koliçi e mori Jarovic për të tentuar gol, topi arriti disi te Thaqi përsëri që para golit kësaj radhe nuk gaboi për barazimin përfundimtar: Ballkani - Gjilani 3-3 [Lindon Emërllahu 5’, Giovanni Ribeiro 61’, Bernard Karrica 82’pen. - Armend Thaqi 15’, 90’+5, Edi Basa 40’].

Ballkani sot është lider me 19 pikë nga 11 ndeshje, duke shpresuar që ndjekësit të mos marrin pikë për ta kaluar në krye. Gjilani, mori barazimin e katërt të stinorit dhe për momentin është i shtati me 13 pikë nga 11 ndeshje.

Fitorja përndryshe do të kishte mundur të jetë e secilës palë sot, pas shfaqjes së jashtëzakonshme të futbollistëve dhe ndoshta barazimi ishte rezultati më real për shikuesit neutral të ndeshjes - jo edhe për tifozët e skuadrave që dhanë spektakël, e që ishin afër fitores!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga