Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SUHAREKA I KTHEHET FITORES, DUKE MPOSHTUR PRISHTINËN

Suhareka ndalë hovin e Prishtinës, Halimi mbron penallti në fund!

Foto: FCSuhareka/ fb

Suhareka ndalë hovin e Prishtinës, Halimi mbron penallti në fund!


27 October, 2024 @16:11

Me fitore Prishtina do të kishte mundur të mbyllë xhiron e dhjetë si lidere e Superligës. Por, Suhareka e drejtuar nga trajneri i ri i saj Qëndrim Kida i është kthyer fitores pas tre humbjeve rresht, për t’i barazuar pikët me kundërshtarin e sotëm.

Lideri i golashënuesve të Superligës, Mevlan Zeka, ka shënuar (3’) me të nisur ndeshja për t’i dhënë epërsinë Suharekës, ndërsa Prishtina u kundërpërgjigj përmes Ardi Ajdinit (31’) i cili qëlloi me kokë pas asistimit të Philippe Boueyes.

Pushimi i zuri ekipet me barazim, ndërsa në pjesë të dytë Suhareka falë një brilance të Liridon Fetahajt që kaloi tre futbollistë të Prishtinës shutoi, ndërsa topi i devijuar pak bëri të veten për epërsi - e që në fund doli të jetë fitore për vendasit (68’).

TABELA AKTUALE

Në fakt, Prishtina ka pasur edhe mundësi ideale për të siguruar barazim. Mirëpo, ka qenë portieri i vendasve që hyri si zëvendësim, Betim Halimi që ia siguroi tre pikët Suharekës. Kjo, pasi që pas një prekjeje me dorë në zonë nga mbrojtësi vendas, gjyqtari Visar Kastrati dha penallti pas shikimit në VAR, e penalltinë Albin Krasniqi nuk e realizoi (90’+8): Suhareka - Prishtina 2-1 [Mevlan Zeka 3’, Liridon Fetahaj 68’ - Ardi Ajdini 31’].

Suhareka pas dhjetë xhirosh me një ndeshje mangu ndaj Dritës, njëjtë sikurse Prishtina, ka 16 pikë, sa ka edhe Prishtina. Për shkak të goldallimit aktual, Prishtina mbyll xhiron në vend të tretë, ndërsa Suhareka në të katërtin. Lideri Ballkani është me 18 pikë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga