KUALIFIKIMET PËR EVROPIAN

Kosova mposhtet nga Mali i Zi
28 April, 2021 @20:53
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka pësuar humbje në ndeshjen e pestë të saj në fazën e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Dardanët u mposhtën për herë të dytë nga Mali i Zi, duke pësuar humbje kësaj radhe në Prishtinë me rezultat 22-27.
Në pjesën e parë dallimi në rezultat ishte më i ngushtë, pasi mysafirët kishin epërsinë 3 golëshe, 10-13.
Golashënuesi më i mirë te Kosova ishte Drenit Tahirukaj që shënoi 7 gola, derisa Valon Dedaj dhe Fatlum Ahmeti shënuan nga 4 gola.
Në anën tjetër te Mali i Zi nga 5 gola shënuan Vasko Sevaljevic dhe Milos Bozovic.
Me këtë fitore Mali i Zi tani ngjitet në pozitën e dytë të grupit 8 me 4 pikë, ndërsa Kosova së bashku me Rumaninë ndajnë pozitat 3 dhe 4 me nga 3 pikë.
Pavarësisht humbjes, ëndrra për kualifikim në Kampionatin Evropian 2022 nuk është shuar.
Kosova tani shpreson që nga pozita e tretë, në të cilën ndodhet, të kualifikohet në Evropian, ndërsa një gjë e tillë varet edhe nga takimet e ardhshme të Kosovës dhe të kundërshtarëve të saj.
Ndeshjen e radhës Kosova e luan si mysafire më 2 maj kundër Suedisë.