HENDBOLL

Përzgjedhësi Qerimi i infektuar me Covid-19, përfaqësuesja përgatitet me trajnerë të tjerë
26 April, 2021 @15:33
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll po vazhdon punën për ndeshjen e së mërkurës ndaj Malit të Zi.
Në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës thuhet se dardanët po përgatiten në mungesë të përzgjedhësit Bujar Qerimi, ndërsa në vend të tij janë përcaktuar dy trajnerë të tjerë.
Përzgjedhësi Bujar Qerimi nuk ka mundur të udhëtojë nga Belgjika për dy ndeshjet e kësaj jave. Ai pas ndeshjes me Rumaninë doli pozitiv në testin për koronavirus dhe ka qëndruar për një kohë i shtrirë në spital. Përzgjedhësi Qerimi fatmirësisht tashmë ka marrë veten, por mjekët ia kanë ndaluar që të udhëtojë nga Belgjika në Kosovë për shkak të shëndetit.
Në mungesë të tij, stërvitjet po i udhëheqë trajneri i parë, Fatmir Muhaxheri, derisa me portierë po punon Veton Hajrizi.
Muhaxheri është prej emrave të respektuar të hendbollit kosovar, pasi që ka udhëhequr edhe përfaqësuesen U21 të Kosovës në Botërorin e juniorëve. Tani, në koordinim me përzgjedhësin Qerimi, do ta udhëheqë përfaqësuesen A në ndeshjen më të rëndësishme deri më tani.
Ndeshja me Malin e Zi luhet më 28 prill në ora 19:30 në Prishtinë, derisa ndeshjen e fundit do ta luajmë në udhëtim më 2 maj me Suedinë.
Kosova aktualisht gjendet në pozitën e tretë të Grupit 8 në kualifikimet për Evropian, me gjithsej 3 pikë, aq sa ka edhe Rumania, derisa Mali i Zi renditet i fundit me 2 pikë dhe një ndeshje më pak. Në krye të tabelës është Suedia me pikë të plota në tri ndeshje të zhvilluara.