LEGJENDË. REKORDER DHE MBI TË GJITHA SHEMBULL I SUKSESIT

Njëri ndër lojtarët më të mirë të historisë në hendboll, mbrojtësi i majtë, Mikkel Hansen (Danimarkë)/ Foto: IHF
Mikkel Hansen - legjenda e hendbollit
30 January, 2023 @12:42
Kur hyn në Wikipedia, pas shkrimit për emrin, ditëlindjen dhe vendlindjen shkruan: Botërisht shihet si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në hendboll. Borozani.com
Nëse e shikon të kaluarën e Mikkel Hansenit: dy tituj të kampionit Botëror, një triumf Olimpik dhe një EURO, disa trofe të MVP-së dhe tetë herë i zgjedhur në ekipin më të mirë të ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare hendbolli (Botërore dhe Evropiane), atëherë parashtrohet pyetja: Si mund të qëndrojë Hansen, njëri ndër hendbollistët më të mirë në histori, të mbajë veten në nivele kaq të larta edhe në moshën 35-vjeçare? Natyrisht, këtu nuk janë llogaritur medaljet tjera të fituara nga ai, të argjendtat dhe të bronztat - gjithashtu në gara të mëdha (Botërore e Evropiane).
Kënaqem duke luajtur hendboll - HANSEN
Përgjigjja e tij është shumë e thjesht.
“Mendoj se kënaqësia e të luajturit hendboll. Tash po shoh që ka edhe djem të ri që po luajnë në nivele të larta, janë impresiv dhe duket se e kuptojnë mirë lojën e hendbollit,” ka thënë Hansen, në intervistën e gjerë dhënë për faqen zyrtare të IHF-së.
Hansen ka qenë në ekipin All-Star të Botërorit “Suedia 2011” dhe “Egjipti 2021”. Ai është zgjedhë MVP tri herë, në Botëroret 2013, 2019 dhe 2021. Golashënues më i mirë në Botëroret 2011 dhe 2019. Numra të pabesueshëm këto, për shumë hendbollistë të kalibrit të lartë. Por, Hansen luan njëjtë ende.
Ai ka shënuar mbi 300 gola në Botërore, ndërsa është golashënuesi më i mirë në histori të Botëroreve - duke qenë i vetmi që ka kaluar shifrën e 300 golave të shënuara në këtë garë të IHF-së, më të madhen në botë për hendboll ndërkombëtar.
Jemi grup i lumtur lojtarësh, brenda e jashtë fushe, kënaqemi - HANSEN
Ende pa u luajtur finalja, Hansen ka thënë se ëndrra është që ta fitojnë për të tretën herë radhazi - që e bënë mbrëmë - ndërsa me këtë ata kanë siguruar edhe pjesëmarrjen në Lojëra Olimpike të vitit të ardhshëm “Paris 2024”. Fituesi i medaljes së artë në Botëror - siguron pjesëmarrjen në Olimpiadë. Aty do të kenë edhe një detyrë revanshi, t’ia kthejnë Francës borxhin për humbjen në finale të Olimpiadës në “Tokio 2020”.
“Kemi grup të mirë lojtarësh dhe brenda e jashtë fushës secili duket të jetë i lumtur me shoqërimin dhe lojën, andaj secili është duke e bërë më të mirën e mundshme për të arritur suksesin. Është punë tepër intensive të luash në turne të tilla, lojë cdo dy ditë, por për këtë kemi ardhur këtu - të fitojmë,” ka përmbyllur Hansen bisedën e tij me IHF-në. Si lojtar, në karrierën e tij me ekipe Hansen ka qenë pjesë e GOG Håndbold (2005-2008), pastaj Barcelonë (2008-2010), AG Kobehavn (2010-2012), Paris St Germain (2012-2022) dhe prej vitit të kaluar i është kthyer Danimarkës, duke qenë pjesë e Aalborg Håndbold (2022-).