Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SUPER MURIQI, NIS MBARË STINORIN

Vedat Muriqi me gol dhe lojtar i ndeshjes, për ta ndalë Real Madridin

Foto: RCDMallorca/ fb

Vedat Muriqi me gol dhe lojtar i ndeshjes, për ta ndalë Real Madridin


18 August, 2024 @23:36

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka shënuar gol sonte ndaj Real Madridit, që i ka siguruar Mallorcës së tij një pikë në duelin hapës të stinorit të ri në LaLiga. Shtatëgjati i Kosovës ka goditur me kokë pas kornerit, për të barazuar rezultatin në 1-1 [Muriqi 53’ - Rodrygo 13’].

Muriqi kështu ka nisur stinorin mbarë me Mallorcën nën drejtimin e trajnerit Jagoba Arrasate, ndërsa menjëherë pas ndeshjes është shpallë edhe MVP i lojës. Përndryshe ky gol i Muriqit, ka bërë që për herë të parë Real Madridi nën drejtimin e Carlo Ancelottit të mos e nis stinorin me fitore!

Nervoza e Real Madridit me mosgjetjen e golit të fitores, pas luftës së madhe të mbrojtësve të Mallorcës në 30 minutat e fundit të lojës ka bërë që në një moment gjatë posedimit të topit të Muriqit, mbrojtësi francez i Real Madridit Ferland Mendy të reagojë keq në tentim ndaljeje të tij dhe referi i ndeshjes e ndëshkoi me karton të kuq direkt në minutën e fundit të kohës shtesë (90’+7), ku edhe përfundoi ndeshja.

Mallorca nisi më mirë ndeshjen, por ecuria dhe kthimi i shpejtë në lojë i Real Madridit u dha epërsinë atyre herët përmes Rodrygos, kur nga e majta Vini Jr gjeti atë, e Rodrygo përfundoi aksionin bukur.

Madrilenët dukej se po luanin me veten, derisa Mallorca ishte e shpejtë në top dhe mjaft mirë e organizuar dhe e guximshme në posedim. Prandaj, edhe goli i Muriqit nuk ishte shumë befasi, kur për një moment kosovari u lirua në zonë dhe topin e ardhur nga korneri e nguliti në gol me kokë.

Kah fundi, edhe pse dukshëm Real Madridi kishte më shumë gjasa për të fituar ndeshjen, rasti iu ofrua edhe Mallorcës, por pa sukses, pasi që s’arritën t’i konvertojnë ato në gol. Debutimi i Kylian Mbappes në LaLiga nisi me barazim në ishullin e piratit nga Kosova.

NOTAT E FUTBOLLISTËVE:

Real Mallorca: Greif 6, Maffeo 7, Valjent 6, Ballo 7, Mojica 7, Darder 6, Mascarell 7, Costa 7, Asano 6, Muriqi 7, Rodriguez 6. Rez.: Sanchez 6, Copete 6, Larin 7, Morlanes 6.

Real Madrid: Courtois 6, Carvajal 6, Militao 6, Rudiger 6, Mendy 6, Tchouameni 6, Valverde 6, Bellingham 6, Rodrygo 7, Mbappe 6, Vinicius 6. Rez.: Modric 6, Guler 6, Diaz 6, Vazquez 6.


 
Të gjitha lajmet nga La Liga