DUEL TITANËSH : : : SPANJA - FRANCA
Spanja-Franca, 11-shet e mundshme dhe të dhëna para ndeshjes
9 July, 2024 @14:29
Spanja ka arritur në gjysmëfinalen e dytë me radhë në EURO, pas asaj në EURO 2020 dhe kësaj radhe kërkon finalen. Në EUROn e kaluar nuk kaluan pas penalltive ndaj Italisë që më vonë u bë kampione, ndërsa kësaj radhe përpara kanë Francën.
Franca, e drejtuar nga Didier Deschamps që ishte ndalë në të tetën e finales nga Zvicra pas penalltive në një super-duel në EURO 2020, tash dëshiron të bëj hapin e fundit për të siguruar finalen. Finalen e fundit e kishin humbur në shtëpi nga Portugalia në EURO 2016, ndërsa titullin e Evropës nuk e kanë fituar prej EURO 2000.
Spanja e Luis de la Fuentes është ekipi i vetëm në kampionat që ka fituar të gjitha duelet deri tash.
“Lojtarët e mi janë të pangopur,” ka thënë ai pas fitores në çerekfinale ndaj Gjermanisë. “Ka gjithmonë vend për përmirësim, por askush nuk mund të pyes për vendosmërinë e tyre, krenarinë dhe cilësinë që e tregojnë.”
Deschamps që po kritikohet për lojën e ngurtë, përkundër ekipit shumë të mirë që ka, në një përgjigje në konferencë për shtyp i tha një gazetari që “të shikojë ndeshjet tjera nëse nuk i pëlqen loja e Francës.”
“Jemi në gjysmëfinale dhe kjo është diçka e madhe. Nuk është lehtë të arrihet këtu. Tash duhet ta fitojmë gjysmëfinalen,” tha ai pasi që eliminoi Portugalinë në çerekfinale.
La Roja arriti në gjysmëfinale duke kaluar grupin e vdekjes pa telashe pas fitoreve radhazi ndaj Kroacisë 3-0, Italisë 1-0 dhe Shqipërisë 1-0. Në të tetën e finales eliminoi Gjeorgjinë me 4-1, kurse në çerekfinalen dramatike Gjermaninë me 2-1.
Gjelat në anën tjetër nuk kanë shënuar gol nga loja! Me dy autogola dhe një penallti kanë siguruar gjysmëfinalen! Grupin e kryen në pozitë të dytë, pasi që fituan Austrinë 1-0, barazuan me Holandën 0-0 dhe Poloninë 1-1. Në të tetën e finales eliminuan Belgjikën vonë me autogolin e Vertonghenit, ndërsa çerekfinalet pas 0-0 në 120 minuta përmes penalltive kaluan portugezët.
11-SHET E MUNDSHME:
Spanja: Unai Simón: Navas, Nacho, Laporte, Cucurella; Olmo, Rodri, Fabián Ruiz; Lamine Yamal, Morata, Williams.
Të suspenduar: Carvajal, Le Normand.
Franca: Maignan; Koundé, Saliba, Upamecano, Hernández; Kanté, Tchouaméni, Camavinga, Griezmann; Kolo Muani, Mbappé.
Përndryshe, para lojës de la Fuente ka thënë që kjo do të jetë përballje e superfuqive të futbollit ku spektakli pritet të jetë briliant. E Deschampsi ka folur për kundërshtarin. “Spanja deri tash është treguar më e mira me lojë në EURO. Ata janë në gjendje të kontrollojnë lojërat. Rodri në veçanti është esencial në ekip, edhe pse kanë edhe lojtarë tjerë të rëndësishëm.”
STADIUMI:
Mynheni do të jetë i plotë. Stadiumi Munchen Football Arena prej orës 21:00 dot ë jetë nikoqir i përballjes së titanëve, ndërsa stadiumi ku luan Bayern pritet të shkëlqejë nga tifozëritë e të dyja palëve. Diario AS ka shkruar në titull se Spanja duhet të bëj edhe një magji sonte, derisa L’Equipe ka qenë i shkurtë në titullin për gjelat me fotografinë e mbrojtëve në ballinë: No Pasaran. Gjyqtar kryesor i ndeshjes do të jetë slloveni Slavko Vinčić me kryesor në VAR Nejc Kajtazovic.