PËRZGJEDHËSI BRAZILIAN I KUQEZINJËVE
Sylvinho vazhdon me Shqipërinë
9 July, 2024 @15:08
Përzgjedhësi brazilian i Shqipërisë, Sylvinho, do të vazhdojë kontratën me Shqipërinë. TopSporti.com nga burimet e tij ka mësuar se përzgjedhësi i kuqezinjëve ka rënë dakord me FSHF-në për të çuar tutje marrëveshjen të cilën, siç e tha kreu i FSHF-së Duka, e ka pasur në tavolinë që prej fillimi të këtij viti.
Sylvinho me Shqipërinë u kualifikua në EURO 2024 pas një kampanje gati perfekte, ndërsa për herë të parë në histori shkoi në evropian si fitues i grupit kualifikues, duke lënë pas Çekinë e Poloninë.
Përkundër se në EURO 2024 qëlluan në grupin e “vdekjes” me Italinë, Spanjën e Kroacinë, kuqezinjtë fituan një pikë aty, ndërsa treguan lojë të mirë në përgjithësi duke pasur parasysh kundërshtarët që kanë qenë të renditur në TOP-10.
Sipas informatave, Sylvinho do të vazhdojë me kuqezinjtë edhe dy vjet kontratën, për të udhëhequr ekipin në kuadër të Ligës së Kombeve 2024/25 që nis në shtator të këtij viti, si dhe kampanjën kualifikuese për Kampionatin e ardhshëm Botëror “SHBA, Kanadë & Meksikë 2026”. Zyrtarizimi i Sylvinhos me Shqipërinë pritet të bëhet më vonë gjatë ditës së sotme. Sylvinho me ekipin e tij, sipas mediave të Shqipërisë ka pasur pagën vjetore prej 750 mijë eurove.