NJË GJERMAN NË KRYE TË KATALONASVE
Barcelona zyrtarizon Hansi Flickun si kryetrajner
29 May, 2024 @16:26
Pas përfundimit të epokës dy vjeçare me Xavi Hernandezin, Barcelona ka zyrtarizuar sot kryetrajnerin e ri të ekipit Hansi Flick. Ish trajneri i Bayernit dhe reprezentacionit të Gjermanisë, Flick kishte fituar tripletën me bavarezët në vitin 2020, kur fitoi Bundesligën, Kupën dhe Ligën e Kampionëve.
“Nder i madh dhe ëndërr është për mua që të nënshkruajë kontratë me një ekip të tillë. Kemi fituar disa tituj me Bayernin dhe jam i uritur për të fituar tituj tjerë,” ka thënë Flick.
“Kemi filozofi të njëjtë, si unë si klubi, me shumë posedim dhe futboll vërtetë sulmues.”
Gjermani Flick ka qenë i pa punë si trajner prej se u shkarkua nga reprezentacioni i Gjermanisë pas kampanjës aspak të mirë në “Katari 2022”.
Trajneri 59 vjeçar ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me Barcelonën, ndërsa është raportuar se do të përfitojë rrogë vjetore bazë prej 3 milionë eurosh, ndërsa bonuset për trofe të LaLigas i ka 750 mijë euro e për atë të Ligës së Kampionëve, 1 milionë euro, kanë shkruar mediat spanjolle.