Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

WIMBLEDON 2025

Fitore ndaj spanjollit Alcaraz, Jannik Sinner shpallet fitues i Wimbledonit

Foto: Wimbledon

Fitore ndaj spanjollit Alcaraz, Jannik Sinner shpallet fitues i Wimbledonit


13 July, 2025 @20:26

S’ka titull të tretë rresht të Wimbledonit për spanjollin Carlos Alcaraz.

Finalen e dy tenistëve bindshëm më të mirë në Botë, Jannik Sinnerit (1) e Carlos Alcarazit (2), e fitoi 3-1 (4-6, 6-4, 6-4, 6-4) në sete italiani Sinner, për të cilin ky është Wimbledoni i parë i fituar në karrierë. Në përgjithësi, ky është Grand Slam-i i katërt i fituar në karrierë për numrin 1 të Botës.

Në Grand Slamin paraprak, atë të Roland Garrrosit, Carlos Alcaraz triumfoi në finale pikërisht ndaj Jannik Sinnerit me përmbysje epike nga 0-23-2, por sot italiani u tregua më i mirë dhe me meritë e fitoi finalen e Wimbledonit.

Seti i parë i fitua 6-4 nga spanjolli Carlos Alcaraz. Më pas, Jannik Sinner u përmirësua dukshëm gjatë setit të dytë dhe e fitoi këtë set 6-4, për ta barazuar ndeshjen në 1-1 në sete.

Seti i tretë ishte fantastik dhe kaloi me luftë tejet të fortë. Në fund të këtij seti, Sinner mori një “break” vendimtar për 5-4 dhe më pas e fitoi 6-4 këtë set. Me rezultat të njëjtë u mbyll edhe seti i katërt dhe kështu tenisti italian e shkroi emrin në listën e fituesve të Wimbledonit.

Kjo ishte humbja e parë e spanjollit Alcaraz në një finale të Grand Slameve.

Në anën tjetër, viti për italianin Sinner nuk filloi aspak mirë, pas suspendimit tre-mujor që e mori nga WADA për shkak të shkeljes së rregullave të dopingut, një rast tejet i kontestueshëm. Pas rikthimit në fushë, Sinner pësoi humbjen e rëndë me përmbysje nga Alcarazi në finalen e Roland Garrosit, por sot italiani tregoi fuqi mentale për t’u duartrokitur, dhe nuk u ndikua nga ndodhitë paraprake të këtij viti, duke e fituar me plot meritë trofeun më prestigjioz të tenisit.

Tash, dy tenistët në fjalë kanë pak dallim në numrin e Grand Slameve të fituar. Alcaraz ka 5, Sinner ka 4, dhe një gjë është e sigurtë - këta dy tenistë do t’i shohim rregullisht nëpër finale të Grand Slameve të paktën edhe për një dekadë.

Kujtojmë që finalen e vajzave në Wimbledon dje e fitoi polakja Iga Swiatek, që me dominim total në finale (6-0, 6-0) e mposhti amerikanen Amanda Anisimova.


 
Të gjitha lajmet nga Tenis