DUELET E DITËS
Besa kalon lehtë Kastriotin, Prishtina fiton derbin ndaj Trepçës
Teksti: FHK
15 April, 2023 @23:00
Të shtunën u luajtën dy ndeshjet e para të xhiros së 27-të të Superligës A të Kosovës në hendboll.
Kastrioti - Besa
Fillimisht Besa Famgas fitoi thellë në udhëtim ndaj Kastriotit me rezultat 46:26. Pas dhjetë minutave të barabartë, skuadra pejane nisi shkëputjen në rezultat. Në pjesën e dytë epërsia e Besës vazhdimisht ishte e lartë, ndërsa në fund dallimi ishte 20 gola.
Egzon Gjuka i shënoi nëntë gola për Besa Famgas, ndërsa nga shtatë i kishin Denis Shabanoviq e Ardit Tafilaj.
Hamdi Salihu e Beni Sula i shënuan nga gjashtë gola për Kastriotin.
Besa udhëheq në tabelë me 48 pikë. Kastrioti mbetet i gjashti me 19 pikë dhe në këtë pozitë do ta përfundojë kampionatin.
Trepça-Prishtina
Ndeshje dukshëm më interesante u luajt në Mitrovicë. U përballën Trepça e Prishtina.
Skuadra vendase nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi epërsi prej disa golave. Prishtina megjithatë nuk u dorëzua dhe u kthye në lojë që në pjesën e parë. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 16:14 në të mirë të Prishtinës.
Në pjesën e dytë u luajt ndeshje e fortë dhe thuajse e barabartë. Pak minuta para fundit skuadra e Prishtinës u shkëput në katër gola, 29:25. Në fund rezultati ishte 30:28 në të mirë të Prishtinës, që kështu fitoi dy pikë të rëndësishme. Me fitore, Prishtina u kthye fuqishëm në garë për plejof. Oltion Beshiri ishte më efikasi te Prishtina me 9 gola, derisa i pandalshëm ishte Rron Ramadani. Ai ndeshjen e mbylli me shtatë gola.
Te vendasit më efikasi ishte Deniz Terziqi me 9 gola.
Trepça renditet e dyta me 32 pikë. Prishtina i ka 25 pikë.
Të dielën është derbi i xhiros së parafundit mes Rahovecit e Vushtrrisë.