VRESHTARËT KALOJNË NË NIVEL TJETËR
Rahoveci ngrit cilësinë me trajner dhe lojtarët plot përvojë
26 June, 2023 @11:12
Dy hendbollistët, ndër më të dalluarit në Kosovë, Egzon Gjuka dhe Jon Muqolli, janë bërë pjesë e Rahovecit gjatë fundjavës që e lamë pas. Ekipi i KH Rahovecit ka bërë të ditur se dyshja që deri tash ka veshur fanellën e rekord-kampionit të Kosovës KH Besa, do të jenë pjesë e vreshtarëve prej edicionit të radhës në Superligë.
Edhe Gjuka edhe Muqolli janë pjesë e reprezentacionit të Kosovës në hendboll. Derisa Muqolli është beku i djathtë më i mirë në Superligë, Gjuka është shpallë dy herë lojtari më i mirë në hendbollin e Kosovës.
Por, këtu nuk përfundon gjithçka, pasi që për ngritjen e cilësisë KH Rahoveci do të ketë edhe përkujdesjen e trajnerit të ri në ekip, Verim Zherka. Ky i fundit është trajneri më cilësor vendor që punon në Kosovë, ndërsa më parë ka drejtuar ekipet e rëndësishme të hendbollit si Kastrioti e Prishtina. Prizrenasi është shpallë trajneri më i mirë gjatë vitit të kaluar.◼️