Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINALJA - FEMRAT

KHF Istogu - kampion i Kosovës

KHF Istogu - kampion i Kosovës


Teksti: FHK

5 May, 2022 @13:55

Istogu ka kurorëzuar një edicion të jashtëzakonshëm me titull të kampionit të Kosovës në hendboll. Titullin e dytë në histori, skuadra istogase e siguroi të mërkurën pasdite në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Istogu fitoi ndaj skuadrës Ferizaj me rezultatin 26:25. Ishte kjo fitorja e dytë e hendbollisteve të Istogut në serinë finale të plejofit. Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën në Istog, skuadra e Faruk Shalës e kishte fituar me rezultatin 32:31.
Ky edicion i Superligës së Kosovës ishte shumë i suksesshëm për istogaset. Ato i kanë fituar të gjitha 22 ndeshjet e stinorit të rregullt. Gjysmëfinalen e plejofit e kaluan me dy fitore ndaj Vushtrrisë. Ndërsa edhe në finale me Ferizajn i shënuan dy fitore. Pra Istogu e mbylli edicionin me 26 fitore nga 26 ndeshje të luajtura.
Titullin e parë të kampionit Istogu e kishte fituar në vitin 2019. Me titullin e ri, Istogu vetëm është konfirmuar si qendër e re shumë e rëndësishme e hendbollit kosovar.
Klubi është formuar vetëm në vitin 2004, ndërsa falë organizimit të mirëfilltë tashmë është prej klubeve kryesore. Më meritori vlerësohet trajneri Faruk Shala me bashkëpunëtorë, ndërsa edhe përkrahja e organeve komunale dhe bizneseve lokale nuk ka munguar.
Sa i takon ndeshjes në Ferizaj, Istogu ka shfaqur më tepër se vendaset. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:13 në të mirë të Istogut. Edhe në pjesën e dytë mysafiret kanë kontrolluar lojën, ndërsa vetëm në fund Ferizaj u afrua në një gol, 26:25.
Trofeun e kampionit, presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, ia dorëzoi kapitenes së Istogut, Yllka Shatri.
Istogu e Ferizaj janë në garë edhe për Kupën e Kosovës.  Turneu final i Kupës së Kosovës zhvillohet pas dhjetë ditësh pikërisht në Ferizaj.


 
Të gjitha lajmet nga FHK Superliga