HENDBOLL

Kosova optimiste para ndeshjes me Malin e Zi
27 April, 2021 @18:21
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është në garë për vendin e dytë apo të tretë në kualifikimet për Kampionatin Evropian.
Vendi i dytë garanton kualifikimin. Prej vendit të tretë kualifikohen katër prej tetë Kombëtareve më të mira nëpër grupe. Shumë do të varet nga ndeshja e nesërme me Malin e Zi.
Dardanët për të arritur qëllimin e shumëkërkuar do të luajnë nesër (e mërkurë) me Malin e Zi, derisa të dielën do të jenë mysafirë të Suedisë.
Optimist për rezultate pozitive nga këto ndeshje është shprehur lojtari kryesor i përfaqësueses së Kosovës në mbrojtje, Bujar Ramosaj.
“Që prej ditës së parë të grumbullimit, përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Nuk kemi pasur ndonjë problem. Synimet janë të qarta – të tregojmë lojë të mirë dhe të nivelit të lartë. Kualifikimi i mundshëm në Evropian na motivon edhe më shumë, edhe pse do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne do të tregojmë lojën tonë dhe do të japim maksimumin”, tha Ramosaj për Federatën e Hendbollit të Kosovës.
Kosova aktualisht gjendet në pozitën e tretë të grupit 8 në kualifikimet për Kampionatin Evropian, me gjithsej 3 pikë të tubuara pas 4 ndeshjeve.
Orari i ndeshjeve:
E mërkurë:
Rumania – Suedia (17:00)
Kosova – Mali i Zi (19:30)
E premte:
Mali i Zi – Suedia (18:00)
E diel:
Mali i Zi – Rumania (18:00)
Suedia – Kosova (18:00)