LAUREATËT 2020
Shpallen më të mirët e vitit në hendboll
5 February, 2021 @17:05
Të premtën në Sheshin 21 në Prishtinë është mbajtur manifestimi “Laureatët e Vitit 2020”. Federata e Hendbollit e Kosovës ka shpallur më të mirët e vitit të kaluar, që ishte i vështirë për shkak të pandemisë, por edhe i suksesshëm për hendbollin kosovar.
Çmimet kryesore i kanë fituar Kastriot Jupa dhe Albina Rugova. Pivoti i Besa Famgas dhe i Kombëtares së Kosovës, Jupa, për herë të gjashtë është shpallur hendbollisti më i mirë i vitit në Kosovë. Ndërkohë aloja e Istogut dhe e Kombëtares së Kosovës, Albina Rugova, është shpallur hendbollistja më e mirë e vitit 2020.
Jupa natyrisht ka zënë vend edhe në përbërjen më të mirë të vitit 2020, ku bëjnë pjesë edhe Mursel Mehmeti (Besa Famgas – portieri më i mirë), Lulzim Shabani (Prishtina – aloja e majtë më e mirë), Deniz Terziqi (Prishtina – fundori i majtë më i mirë), Egzon Gjuka (Besa Famgas – qendra më e mirë), Beni Sula (Prishtina – fundori i djathtë më i mirë), Drilon Tahirukaj (Besa Famgas – aloja e djathtë më e mirë).
Bujar Ramosaj (Besa Famgas) është shpallur sërish lojtari më i mirë në mbrojtje për vitin 2020, ndërsa golashënuesi më i mirë për vitin 2020 ishte Arjanit Hoxha i Llapit me 169 gola.
Çmimi i hendbollistit më të mirë të Kombëtares së Kosovës i ka takuar Luigj Qunit, anëtarit të Amicitia Zurich.
Te hendbollistet, në përbërjen më të mirë të vitit 2020 kanë zënë vend: Njomza Kelmendi (Vushtrria – portierja më e mirë), Albina Rugova (Istogu – aloja e majtë më e mirë), Burneta Rama (Vushtrria – fundorja e majtë më e mirë), Puhiza Gashi (Kastrioti – qendra më e mirë), Suzana Ujkiq (Istogu – pivotja më e mirë), Shpresa Fazlija (Shqiponja – fundorja e djathtë më e mirë), Albulena Kelmendi (Ferizaj – aloja e djathtë më e mirë).
Shkurta Mehmeti (Prishtina) është hendbollistja më e mirë në mbrojtje për vitin 2020, ndërsa Albina Rugova është edhe golashënuesja më e mirë e vitit 2020 me 162 gola.
Hendbollistja më e mirë e Kombëtares së Kosovës është shpallur Marigona Hajdari e skuadrës daneze Ringkobing.
Klubet kampione, KHF Ferizaj e KH Besa Famgas janë shpallur klubet më të suksesshme të vitit 2020. Te kadetet KHF Samadrexhës i ka takuar çmimi “klubi më i suksesshëm i vitit”, ndërsa KH Prishtinës te kadetët.
KHF Istogut dhe KH Besa Famgas u kanë takuar mirënjohje të veçanta “për suksesin e arritur në garat evropiane”.
FHK-ja ka ndarë edhe mirënjohje e çmime tjera.
Mirënjohjet Post-Mortum për kontributin e dhënë në hendbollin kosovar për dekada, u kanë takuar Afrim Qorollit, Daver Haskukës, Sami Mustafës, Shaban Demirit dhe Bashkim Hoxhës.
Prej gazetarëve janë ndarë mirënjohje për RTV 21, Grupin KOHA, Klan Kosovën, Radio Kosovën, SHGSK-në dhe Kemajl Gocën.
Për kontribut dhe bashkëpunim me FHK-në gjatë vitit 2020, mirënjohje i është dhënë Departamentit të Sportit të MKRS-së.
Në konkurrencën e kadeteve më të dalluarat u shpallën: Arjeta Maloku (Samadrexha), Blenarda Bytyqi (Istogu), Diarta Shala (Prishtina), Elda Hoxha (Kastrioti), Mirjeta Dinolli (Ferizaj).
Te kadetët më të dalluarit ishin: Dardan Ramadani (Prishtina), Jon Vokshi (Besa Famgas), Amir Fazliu (Vushtrria), Ermir Smaka (Trepça), Betim Idrizi (Vëllaznimi).
Çmimi i punëtorit sportiv të vitit 2020 u është ndarë Fikret Sadikut e Tefik Retkocerit, kurse mirënjohje për vepër jetësore kanë pranuar Rifat Shabani, Ferat Basholli e Ismet Jupa.
Ilir Bytyqi e Syart Kasapi janë shpallur gjyqtarët më të suksesshëm të vitit 2020, derisa çmimi i trajnerit më të suksesshëm të vitit 2020 i ka takuar spanjollit të Besa Famgas, Javier Cabanas.