BOTËRORI PËR ZHVILLIM
S’ka finale, luftojmë për vend të tretë
25 June, 2015 @18:52
Përfaqësuesja e Kosovës nuk ka arritur të shkojë në finalen e Botërorit për zhvillim, pasi që është mposhtur nga Ishujt Faroe në gjysmëfinale.
Ishujt Faroe kishin mposhtur Kosovën edhe në Grupin A, në takimin e parë mes përfaqësueseve që arritën gjysmëfinalen sot.
Në fakt loja e Kosovës ra me lëndimin e Roland Ndrecajt (sot) ndërsa vërehej mungesa e Egzon Xhukës (i lënduar një ditë më parë) dhe në 10 minutat e fundit, ekipi ynë pa se Ishujt Faroe ishin të fortë karshi nesh.
Njëra ndër momentet më shpresëdhënëse ishte kur Lindrit Fetahu shënoi për epërsinë e Kosovës 21-20, mirëpo kjo nuk zgjati shumë dhe ishullorët kthyen gjithçka në favor të tyre, derisa pritën fundin lehtë dhe sigurt për të arritur finalen, 31-23.
Kosova do të luftojë për vend të tretë me humbësin e gjysmëfinales tjetër, Letonia - Uruguaji, derisa fituesi luan në finale ndaj Ishujve Faroe.