HENDBOLL

Suksesi i përfaqësueses së hendbollit shpërblehet me grant deri në 80 mijë $
6 May, 2021 @22:41
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka përzgjedhur kombëtaren, e cila do të mbështetet me grantin ekipor (Team Support Grant) nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Granti do të ndahet për kombëtaren e hendbollit, konkurrenca e meshkujve, ndërsa vlera e përfitimit në total për katër vitet e ardhshme është 60 – 80 mijë dollarë.
Hendbollistët tanë ishin pranë kualifikimit historik në Kampionatin Evropian 2022, duke përfunduar në vendin e tretë në grup.
Kosova la pas Rumaninë, të cilën e kishte mundur në Bukuresht dhe barazuan në Prishtinë.
Këtë grant hendbolli e kishte fituar edhe në ciklin e kaluar olimpik, por me kombëtaren e femrave.
Për grantin e KOK-ut, pos FHK-së me ekipe të ndryshme kombëtare kanë konkurruar edhe Federata e Basketbollit dhe ajo e Volejbollit.