FHK
Eugen Saraçini rizgjedhet kryetar i FHK-së
5 February, 2021 @18:58
Federata e Hendbollit të Kosovës sot pas zgjedhjes së Laureatëve të vitit 2020, ka mbajtur mbledhjen e Kuvendit për ta zgjedhur kryetarin e kryesinë për mandatin e ri.
Në këtë mbledhje, kryetari i deritashëm i FHK-së, Eugen Saraçini, mori përkrahjen e kuvendarëve për ta udhëhequr federatën edhe për një mandat katërvjeçar.
Për mandatin e tretë si president i FHK-së, Saraçini u zgjodh me shumicë absolute të votave. Ai është në krye të FHK-së që nga viti 2012, ndërsa zhvillimi i federatës sonë gjatë kësaj periudhe ishte i hovshëm.
Kuvendarët në fakt e kanë respektuar punën e bërë nga FHK-ja.
Me shumicë absolute është zgjedhur edhe nënpresidenti i FHK-së, Enis Idrizi, që ka mbajtur këtë pozitë edhe deri më tani.
Me vota të kuvendarëve, në Bordin e FHK-së janë zgjedhur Bajram Isufi, Xhavit Morina e Fatmire Ferati. Shemsa Sadikut i takon vendi në Bord i rezervuar për minoritete.
Presidenti Saraçini ka emëruar anëtarë të Bordit edhe Edi Kolgecin, Bujar Istrefin e Berat Danën
Në Këshillin Mbikëqyrës janë zgjedhur avokati i mirënjohur Destan Rukiqi, Ylli Pajaziti dhe Rafet Ferizi.
Atmosfera në Kuvendin e rregullt Zgjedhor ishte shumë konstruktive. Të gjitha raportet janë aprovuar pa asnjë vërejtje.
Prezent në Kuvendin e qetë ishin edhe përfaqësuesit e MKRS-së dhe KOK-ut, që kanë lavdëruar punën e bërë nga Federata jonë.
Para kuvendarëve presidenti Saraçini ka mbajtur një fjalim ku ka folur për sukseset e arritura në dy mandatat e kaluara si dhe për planet e synimet për mandatin e ardhshëm.