SISTEM I RI
Hendboll, ndërrohet sistemi i garave
22 May, 2015 @15:54
Federata e Hendbollit të Kosovës, stinorin e ardhshëm do të zbatojë sistemin e garave me Play-Off, pas përfundimit të stinorit të rregullt dhe do të shtojë ekipet në Superligë.
Kështu ka vendosur FHK, pasi që ka konstatuar se garat e këtij stinori nuk kanë sjellur efekt të dëshiruar dhe popullarizim të sportit.
Këtë stinor, kanë garuar tetë skuadra në Superligë, duke u takuar me njëra tjetrën katër herë gjatë gjithë stinorit, derisa ekipi që është në vend të parë shpallet kampion.
Besa ka aktualisht 51 pikë, derisa vendi i dytë Prishtina, 38, që ka bërë të ditur kampionin heret.
E prej stinorit tjetër, do të jenë 10 ekipe në Superligë, do të ndeshen dy herë me njëra-tjetrën gjatë gjithë stinorit dhe pastaj do të pasojë Play-Offi, që do të nxjerrë finalistët dhe kampionin, ka bërë të ditur FHK-ja.
Pjesa e poshtme e tabelës do të përcaktojë ekipet e Play-Outit, prej vendit 7-10.
Tre skuadrat më të mira të Play-Offit do të sigurojnë daljen në garat europiane.