Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

HENDBOLLISTET E REJA SHKRUAJNË HISTORINË

Historike: Kosova U-18 kualifikohet në Kampionat Botëror

Foto: FHK

Historike: Kosova U-18 kualifikohet në Kampionat Botëror


Teksti: FHK

4 March, 2024 @8:43

Hendbolli kosovar sërish ka shkruar histori. Të dielën Kombëtarja U18 e Kosovës (vajzat) është kualifikuar në Kampionatin Botëror që gjatë muajit gusht mbahet në Kinë. Këtë sukses historik vajzat tona e kanë arritur duke triumfuar në finale të IHF Trophy Intercontinental.

Në Tashkent të Uzbekistanit, Kosova U18 e mposhti Nigerinë me rezultat 22:16. Festa ishte shumë e madhe pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm. Ndeshja ishte shumë e fortë, me duele të panumërta fizike. Por në momentet vendimtare në shprehje erdhi cilësia e Kombëtares sonë, por edhe përgatitja.

RRUGËTIMI DERI NË FINALE DHE FINALJA!

Në Tashkent, Kosova U18 fillimisht fitoi ndaj Uzbekistanit me rezultatin 27:21 e më pas ndaj Guatemalës me rezultat 31:12. Në gjysmëfinale e kaloi Kaledoninë e Re, të cilën e mposhti 27:16, të shtunën.

Takimi final nisi më mirë për Kosovën, por më pas nigerianet u kthyen në lojë. Pas 30 minutave rezultati ishte 10:10. Fillimi i pjesës së dytë u takoi nigerianeve, ndërsa gradualisht Kosova e mori kontrollin për t’u shkëputur në fund dhe për të festuar me pasion. Diona Dresh u shpall lojtare e ndeshjes. Ajo i shënoi shtatë gola nga tetë tentime. Sara Gjergjaj e organizoi ndeshjen dhe i realizoi pesë gola nga shtatë tentime. Katër gola i kishte Andra Uglani, ndërsa nga tri i realizuan Orgesa Gola e Arjeta Imeraj. Kontribut me pritje të shumta dha portierja Alina Shabani, por edhe të gjitha lojtaret tjera.

Federata e Hendbollit e Kosovës e uroi shtabin teknik të udhëhequr nga Mitat Ferati për suksesin historik si dhe të gjitha vajzat që kanë kontribuuuar në këtë sukses të madh.


 
Të gjitha lajmet nga FHK Superliga