HENDBOLL
Kriza financiare e papërballueshme, KH Vëllaznimi tërhiqet nga garat
25 February, 2024 @7:50
Pas krizës së vazhdueshme financiare, KH Vëllaznimi nga Gjakova është detyruar të tërhiqet nga garat në mes të sezonit.
Lajmi u bë i ditur nga klubi gjakovar në Facebook, ku u komunikua tërheqja nga garat.
Përkundër përpjekjeve për të gjetur zgjidhje, KH Vëllaznimi nuk ka arritur t’i përballojë shpenzimet sezonale dhe me keqardhje është detyruar ta marrë këtë vendim. Vendimi përfundimtar erdhi pas humbjes që gjakovarët e pësuan nga Besa dy ditë më parë, humbje qe i mban ata në vendin e fundit të Superligës me 2 fitore e 15 humbje pas 17 xhirove.
I themeluar në vitin 1955, ky klub është shpallur 9 herë kampion i Kosovës si dhe 3 herë e ka fituar Kupën e Kosovës.
Kujtojmë që KH Vëllaznimi është klubi i vetëm senior nga Gjakova që asnjëherë nuk ka rënë nga Superliga e sportit përkatës. Gjithashtu, është klubi i parë që e ka përfaqësuar Gjakovën në garat ndërkombëtare.