FITORE SI MYSAFIR, NJË FITORE LARG GJYSMËFINALES!

Fotot: FBK
Peja merr epërsinë, mposhtë Yllin si mysafir!
10 April, 2025 @22:20
Në fund të çerekut të tretë, Peja mori epërsinë ndaj Yllit në “13 qershori” të Suharekës! Prej atij momenti verdhezinjtë mysafirë të drejtuar nga Sebastjan Krasovec nuk kthyen kokën mbrapa dhe shkuan dalëngadalë te fitorja e parë e serisë çerekfinale të playoffit, duke fituar ndeshjen me 6 pikë dallim në fund, Ylli - Peja 71-77! Stinori i rregullt, plotësisht i Yllit. Në katër duele ndaj Pejës, të gjitha i kishin fituar suharekasit. Sonte, faza e playoffit dhe Peja arrin fitoren e parë në momentin e duhur!
Yllit i takoi çereku i parë, 23-19, mirëpo rikthimi i Pejës në çerek të dytë dhe pamundësia e vendasve që të bëjnë dallim më të madh në rezultat gjatë çerekut të tretë, bëri që Peja të fitonte ndeshjen.
Benas Griciunas me 17 pikë, 2 asistime e 12 kërcime, Marquez Towns me 14 pikë, 9 asistime e 4 kërcime ishin më efikasit në fitore të Pejës sonte. Me 10 pikë luajti Tulio da Silva, që bëri edhe 2 asistime e 5 kërcime në fitore.
Ylli në anën tjetër, pos Jan Palokajt dhe Lis Shoshit në formë, nuk pati tjetër përgjigje ndaj pejanëve. Palokaj kreu lojën me 22 pikë, 5 asistime e 3 kërcime, ndërsa Shoshi me 15 pikë e 14 kërcime, që në fund s’mjaftuan për të bërë më shumë.
Peja tash pret Yllin në “Karagaç” ku kërkon fitore për të siguruar gjysmëfinalen e playoffit. Ylli në anën tjetër, do të kërkojë barazim serie për të kthyer avantazhin e terrenit vendas, për vendimtaren në Suharekë. Në fund, Ylli - Peja 0-1! Ekipi që arrin dy fitore i pari, siguron gjysmëfinalen e playoffit të Superligës ku do të takohet me fituesin e stinorit të rregullt, Bashkimin. Hije të keqe ndeshjes i dha ndëprerja, pasi që tifozët vendas hodhën gjësende drejt lojtarëve, ndërsa Peja ka bërë të ditur se ekipi i tyre është sulmuar edhe gjatë hyrjes në zhveshtore!