Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA - RUMANIA

Rikthim i madh i Kosovës në pjesë e dytë, Rumania ndalet me barazim

Rikthim i madh i Kosovës në pjesë e dytë, Rumania ndalet me barazim


10 March, 2021 @21:09

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ka arritur të nxjerrë rezultat të favorshëm nga ndeshja kundër Rumanisë, që u zhvillua në kuadër të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2022.

Të përzgjedhurit e trajnerit Bujar Qerimi e mbyllën këtë duel me rezultat 23-23, megjithëse ishin fare pranë fitores pasi një minutën para fundit e kishin epërsinë 23-22.

Në fakt kjo vetëm epërsia e dytë në ndeshje për Kosovën, pas asaj në fillim 1-0, pasi që rumunët gati gjatë gjithë kohës ishin përpara në rezultat. Madje kulmi i dallimit në rezultat arriti pak para fundit të pjesës së parë, kur Rumania avanconte me 6 gola epërsi, 8-14.

Por në pjesën e dytë dardanët u këndellën dhe e morën lojën në kontroll të plotë, për rezultatin e barabartë ndaj rumunëve që ishin favoritë në këtë ndeshje.

Katër hendbollistë te Kosova ishin golashënuesit më të mirë me nga tri gola të shënuara. Valon Dedaj, Deniz Terziqi, Drilon Tahirukaj dhe Egzon Gjuka ishin ata që bartën përgjegjësinë në sulmin e dardanëve.

Në anën tjetër te Rumania u dalluan Demis Cosmin Grigoras dhe Nicusor Andrei Negru me nga 4 gola secili.

Ky rezultat është historik për Kosovën, pasi që në asnjë ndeshje të më parshme përballë Rumanisë, nuk është arritur ndonjë rezultat pozitiv.

Ndeshja e kthimit mes Rumanisë dhe Kosovës luhet të dielën në Bukuresht.


 
Të gjitha lajmet nga FHK Superliga