EURO 2018
Kampionë Europian, për herë të parë
28 January, 2018 @22:14
Reprezentacioni spanjoll i hendbollit, për herë të parë në histori, është bërë kampion i Europës në këtë sport.
Në finale, pas një pjese të dytë të mahnitshme, spanjollët kanë rikthyer ndeshjen për të mposhtur Suedinë në fund, 29-23.
Pjesa e parë e duelit kishte përfunduar me epërsi të skandinavëve 12-14, mirëpo, në pjesë të dytë rikthimi i spanjollëve la të befasuar edhe suedezët të cilët në fund u pajtuan me titullin e nënkampionit.
David Balaguer dhe Ferran Sole kanë qenë më efikasit në finale te Spanja me nga 5 gola të shënuara, ndërsa nga 4 i kanë shënuar Raul Entrerrios, Alex Dushebaev dhe Aitor Arino.
Në anën tjetër te suedezët Jesper Nielsen ka shënuar 5, ndërsa Niclas Ekberg me 4, kanë qenë më efikasit sonte.
Spanja ka qenë 4/5 e saktë prej 7 metërshave në duelin final, ndërsa Suedia 2/1.
FRANCA, E BRONZTË
Në vendin e tretë përfundoi Franca, që mposhti Danimarkën 32-29 në duelin për medaljen e bronztë.
MË TË MIRËT
Hendbollisti më i mirë i EURO 2018 i zhvilluar në Kroaci u përzgjodh suedezi Jim Gottfridsson, ndërsa golashënuesi më i mirë erdhi nga Çekia, Ondrej Zdrahala, me 55 gola të shënuara përgjatë europianit.
HISTORIA SPANJOLLE
Përndryshe Spanja deri tash ka humbur katër finale të EUROve.
Në EURO 1996 nga Rusia 23-22, në EURO 1998 nga Suedia 25-23, në EURO 2006 nga Franca 31-23 dhe së fundi në EURO 2016 nga Gjermania 24-17.