AUSTRALIAN OPEN
PeRFect20n!
Shpjegim: Titulli i huazuar nga Australian Open
28 January, 2018 @12:41
30 finale dhe 20 tituj të fituar në Grand Slams!
Këto janë shifrat fantastike të zvicranit Roger Federer pas triumfit në finalen e Australian Open sot. Përkundër moshës 36-vjeçare, Roger zhvilloi një tjetër ndeshje fantastike ndaj kroatit Marin Cilic, për ta fituar kështu për herë të gjashtë Grand Slam-in e Australisë dhe Grand Slam-in e 20 në karrierë.
Ndeshja e sotme, që ishte përsëritje e finales së Wimbledon-it 2017, filloi mirë për Federerin, i cili e fitoi setin e parë 6-2, mirëpo kundërpërgjigjja e Cilicit ishte e menjëhershme. Cilic e fitoi me ‘tie-break’ setin e dytë për barazim 1-1, ndërsa seti i tretë kaloi jo edhe aq mirë për kroatin, shërbimet e të cilit ishin të dobëta në këtë set.
Në setin e katërt, Federer fillimisht krijoi avantazh 3-1 në ‘games’, mirëpo Cilic nuk u dorëzua për asnjë moment dhe arriti ta çonte ndeshjen në setin e pestë. E në setin e fundit, ishte Federer ai që ‘e tha fjalën e fundit’, duke krijuar menjëherë epërsi 3-0 në ‘games’, për ta vazhduar më pas vazhdimin e setit në qetësi dhe për ta mbyllur duelin me fitore.
Sa i përket statistikave të këtij turneu, Roger Federer arriti të shpallet kampion me vetëm 2 sete të humbura përgjatë gjithë turneut, derisa të dyja këto sete u humbën sot.
Pas Ken Roswellit, i cili e fitoi këtë turne në moshën 39 vjeçare në vitin 1972, Roger Federer tashmë bëhet teniseri i dytë më i vjetër në histori që arrin të shpallet kampion në Australian Open. Se a do të thyhet ky rekord i Roswellit pikërisht nga Federer, mbetet të shihet viteve të ardhshme!