Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

WIMBLEDON

Super Carlos Alcaraz, shkollon Djokovicin dhe fiton Wimbledonin

Foto: Wimbledon

Super Carlos Alcaraz, shkollon Djokovicin dhe fiton Wimbledonin


16 July, 2023 @20:01

SUPER CARLOS ALCARAZ!

Spanjolli i supertalentuar ka triumfuar sot me plot meritë në finalen e Wimbledonit ndaj tenistit Novak Djokovic, për ta fituar kështu Grand Slamin në fjalë.

Ndeshjen e sotme finale Alcaraz e fitoi 3-2 në sete, duke dëshmuar edhe një herë se është prej tenistëve më premtues për dekadën e ardhshme. Pas triumfit në US Open të vitit të kaluar, ky është Grand Slami i dytë i fituar në karrierë për spanjollin, që është vetëm 20 vjeçar e luan sikur të kishte vite e vite përvojë.

Ndonëse e humbi 1-6 setin e parë, spanjolli Alcaraz nuk ra pre e presionit dhe arriti t’i fitojë setet 2 dhe 3 (7-6, 6-1), duke kaluar kështu në epërsi. Më pas, Alcaraz e humbi setin e katërt 3-6 dhe gjithçka u vendos në setin e fundit, i cili ishte fantastik. Në momentet vendimtare, Alcaraz nuk e humbi përqëndrimin dhe me plot meritë triumfoi, 6-4 në setin e fundit dhe 3-2 në sete.

Grand Slami i ardhshëm i vitit është US Open dhe luhet në New York me fillim nga data 28 gusht, Grand Slam të cilin Alcaraz e nis duke qenë i ranguar si i pari i Botës në sportin e tenisit.

Kujtojmë që në finalen e vajzave dje triumfoi çekja e paranguar Marketa Vondrousova, duke e mposhtur tunizianen Ons Jabeur befasisht në finale.


 
Të gjitha lajmet nga Tenis