NË MITROVICË
Minatori hapet nesër
9 March, 2016 @12:57
Hendbollistët e Trepçës do t’ia bëjnë sefte si sport ekipor “Minatorit” të renovuar së fundi. Nesër me fillim nga ora 19 ata do të ndeshen me Drenicën në përballjen e radhës të Superligës së Kosovës, ndërsa hyrja është paralajmëruar të jetë pa pagesë për adhuruesit e këtij sporti.
Sidoqoftë, Trepça që së fundi ka emëruar trajner përzgjedhësin e Kosovës, Taib Kabashi, po lufton për mbijetesë në Superligë këtë stinor dhe palestra e mbushur me publik, vetëm se do t’i ndihmojë atyre edhe më shumë në arritjen e qëllimit - që quhet mbijetesë.
“Jemi duke u ri-organizuar për të vënë klubin në binarë dhe për të kthyer reputacionin e ekipit që kishte dikur në Kosovë. Gjendja aktuale kërkon mobilizim dhe fitore, pasi këto pikë mund të na sigurojnë ekzistencën dhe hapin rrugën për punë e rezultate të ardhmen,” ka thënë Kabashi, shkruan MitrovicaPress sot.