EHF CUP
Prishtinaset pësojnë thellë
Teksti: FHK
10 September, 2017 @16:20
Kampionia e Kosovës në hendboll (femrat), Prishtina ka pësuar humbje të thellë në ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupës së EHF-së. Të shtunën pasdite në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, skuadra prishtinase pësoi me rezultatin 34:11 nga Bruehli zviceran. Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me shifrat 16:7 në të mirë të zviceraneve.
Edhe para ndeshjes Bruehli ishte vlerësuar favorit i madh dhe këtë e dëshmoi edhe në fushën e lojës. Bruehli ka në përbërje lojtare me përvojë e poashtu përvojë të gjatë në gara ndërkombëtare. Ndërkohë KHF Prishtina në këtë edicion po paraqitet me lojtare të reja. Ndonëse përgatitjet e Prishtinës kanë nisur me kohë, dallimi në cilësi mes skuadrave ishte i madh.
Te Prishtina bindshëm më efikasja ishte Florentina Prelvukaj me gjashtë gola të shënuara. Nga një gol shënuan Qëndresa Berisha, Pranvera Ferataj, Lena Mekolli, Luljeta Sopjani e Aida Stagova. Në ekipin zviceran plot 12 lojtare shënuan gola. Më efikasja ishte Zerin Oezcelik me nëntë gola.
Me marrëveshjes mes dy skuadrave, të dy ndeshjet do të luhen në Prishtinë. Ndeshja e dytë luhet të dielen (nesër), prej orës 15:00. Prishtina për herë të nëntë po garon në kupa evropiane. Dy herë ka kaluar nga një rreth garash. Bruehli në gara evropiane paraqitet rregullisht prej vitit 1999. Thuajse vazhdimisht ka kaluar raunde garash. Ka në përbëre tri lojtare të huaja dhe disa të natyralizuara. Poashtu ka disa reprezentuese të Zvicrës. Ndeshja e dytë vetëm pritet të konfirmojë kalimin tutje të Bruehlit.