GJYSMËFINALJA 3: TREPÇA - PRISHTINA

Foto: KB Trepça/ FB
Trepça fiton ndeshjen e tretë, një fitore larg finales
26 April, 2025 @20:59
Fitore për Trepçën në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale ndaj Prishtinës.
Kështu, mitrovicasit tashmë ndodhen në epërsi 2-1 në seri dhe janë një fitore larg finales.
Ndeshja e sontme e luajtur në një atmosferë fenomenale në “Minatori” përfundoi 67-61 për Trepçën.
Çereku i dytë, i cili përfundoi 23-11 për vendasit, ishte fatal për Prishtinën, me mitrovicasit që me përvojë e menaxhuan pjesën e dytë të ndeshjes dhe e fituan përballjen.
Michael C. Myers ishte më i miri te Trepça edhe sonte, si në ndeshjen e parë të serisë. Ai luajti me 15 pikë, 8 kërcime e 2 asistime. Pikë dyshifrore te mitrovicasit patën edhe Mikaile Tmusic (11), Tekele Cotton (11) dhe Drilon Hajrizi (10).
Te kryeqytetasit u veçua Donte Clark me 18 pikë, 4 kërcime e 4 asistime, ndërkohë lojtari i vetëm tjetër me pikë dyshifrore ishte Olin Carter me 14 sosh.
Ndeshja e katërt e serisë luhet më 30 prill në Prishtinë. Siç dihet, në finale shkon skuadra që shënon tri fitore gjatë serisë gjysmëfinale.