EHF CUP
Besa Famgas eliminohet nga EHF Cup
Teksti: FHK
11 September, 2017 @12:07
Ndonëse kishte fituar bindshëm ndeshjen e parë, Besa Famgas nuk ia ka dalur të kualifikohet në raundin e dytë të Kupës së EHF-së.
Besa, që është kampione në fuqi e Kosovës në hendboll, të dielen mbrëma pësoi thellë, 35:23 nga Beykozi turk dhe kështu u ndal në raundin e parë. Ndeshja është luajtur në Beykoz të Stambollit.
Para një jave në ndeshjen e luajtur në Pejë, Besa fitoi me plot tetë gola dallim, 29:21, por epërsinë e lartë e krijuar nuk ia doli ta ruaj në Stamboll.
Te Besa në ndeshjen e kthimit lojtari më efikas ishte Goran Biljaka me 9 gola. Tarik Medzic shënoi 7, Kastriot Jupa e Drilon Tahirukaj nga 3 dhe Jon Muqolli 1. Besa deri në minutën e 50-të ishte në disavantazh prej 8 gola, por më pas vendasit krijuan epërsinë që synonin dhe kaluan tutje.
Është kjo hera e dytë rresht që Besa Famgas ndalet në rrethin e parë të Kupës së EHF-së. Vjet u ndal nga Dukla çeke. Edhe vjet e kishte fituar ndeshjen e parë në Pejë, por më pas në udhëtim pësoi me rezultat më të lartë.
Para eliminimit nga Dukla, Besa dy edicione rresht kishte kaluar nga një rreth të garave në kupën e EHF-së. Këtij suksesi i kishte paraprirë kalimi i një rrethi të garave në Challenge Cup. Më parë Besa ishte ndalur shtatë herë në xhirot e para. Besa ka në përbërje tre lojtarë të huaj dhe shumë prej lojtarëve më të mirë të vendit. Por organizimi i mirë, fillimi me kohë i përgatitjeve dhe fondi i mirë i lojtarëve, këtë herë nuk mjaftuan për të vazhduar garimin në Evropë.