EHF CUP
KHF Prishtina e pafuqishme ndaj Bruehlit zviceran
Tekst: FHK
11 September, 2017 @8:33
Klubi i hendbollit Prishtina (femrat) i ka dhënë fund garimit në kupat evropiane për edicionin 2017/18.
Prishtina, që është kampione në fuqi e Kosovës, është ndalur në raundin e parë të Kupës së EHF-së, që është niveli i dytë i garave evropiane. Ndonëse të dy ndeshjet u luajtën në Prishtinë, kampionia e vendit nuk ia doli të kaloi tutje.
Ndeshjen e parë të luajtur të shtunën, Bruehli e fitoi me rezultatin 34:11. Ndeshja e dytë, që u luajt të dielen pasdite, përfundoi me shifrat 32:15 në të mirë të ekipit zviceran. Të dy ndeshjet janë luajtur në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Në ndeshjen e dytë te Prishtina lojtarja më efikase ishte Aida Stagova me plot 10 gola.
Bruehli prej fillimit është vlerësuar favorit absolut. Bëhet fjalë për një skuadër me përvojë të gjatë në gara evropiane dhe që në përbërje ka lojtare cilësore, duke përfshirë reprezentuese të Zvicrës e poashtu lojtare të huaja.
Ishte kjo paraqitja e nëntë e KHF Prishtinës në gara evropiane. Dy herë ia ka dalur të kaloj rreth të garave. Për të arritur këtë sukses sërish, duhet të ketë më shumë fat në short.