PEJANËT KAMPIONË!
Peja mbron titullin, mposht Ferizajn në finale dhe shpallet kampione
14 May, 2023 @0:14
Peja është shpallur kampione e Kosovës në volejboll, duke arritur ta mbrojë titullin nga sezoni paraprak, pas një paraqitjeje brilante në ndeshjen e pestë të playoffit të zhvilluar në palestrën “Bill Klinton”, kundër Ferizajt, të shtunën mbrëma.
Ishin pesë ndeshje spektakolare, të cilat tërhoqën mijëra tifozë në palestrat “Karagaqi” e “Bill Klinton”, përgjatë këtyre pesë përballjeve.
Peja fitoi me rezultat 1:3 (23:25—20:25—25:21—17:25), duke treguar një paraqitje të fortë në proces.
Nikoqirët treguan rezistencë në setin e parë dhe fituan setin e tretë, por nuk arritën të parandalojnë humbjen.
Kupën për kapitenin e Pejës, Agron Nikqi, e ndau presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Bahri Gjinovci, për të nxitur festën impozante të ekipit mysafir.
Medaljet për vendin e parë i ndau deputeti dhe ish-voljebollisti Rashit Qalaj dhe drejtoresha e drejtorisë të sportit në Ferizaj, Xhemile Murati.
Medaljet e argjendta për nënkampionët i ndanë sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi, dhe tre anëtarët e bordit Gazmend Husaj, Valon Xhafaj dhe Dibran Kastrati.
FVK uron Pejën për suksesin e arritur, ndërsa i uron më shumë fat sezonën e ardhshme Ferizajt.