Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LE TOUR DE FRANCE 2022

Gara më emocionuese në histori - Le Tour de France 2022

Fotot: LeTour/ fb

Gara më emocionuese në histori - Le Tour de France 2022


Shkruan: Blerim MYFTIU

27 July, 2022 @9:17



Pogačar, megjithatë është njeri

Pas fitoreve rresht në etapat 6 dhe 7 të edicionit të sivjetmë – të 109-të – të Le Tour de France, kampioni i dyfishtë dhe aktual i tij, slloveni Tadej Pogačar dukej i pamposhtur, mbinjerëzor, mbret i maleve dhe disi paralajmëronte një dominim shumëvjeçar duke na dhënë përshtypjen se sa e lehtë është ta ngasësh biçikletën, teposhtë apo në 15% gradient në mal, në diell apo në shi. Dukej sikur po ktheheshim në fundin e shekullit të kaluar dhe fillimin e këtij të tashmit, në kohën e dominimit të një personi mbi dy rrota, të Lance Armstrongut, pa dashur të aludoj në mashtrimin me doping. Apo në miniserinë e Chris Froomeit të para disa viteve.

Tour De France

Me fanellën e verdhë përmbi që na kishte bërë të harronim si dukej ajo fanellë dhe ngjyrë në trupin e një çiklisti tjetër, java e parë e Turit kaloi në mënyrën e vetë klasike. Por, trazirat e javës së dytë paralajmëruan protestat fort të zakonshme të francezëve nëpër rrugë që e penguan në etapën e 10-të edhe çiklistët. Por, ajo që sollën Alpet në etapën e 11-të e përtej bënë që Turi i sivjetmë të vlerësohet nga shumë ekspertë si ndër më interesantit, më të bukurit dhe më emocionuesit përgjatë tërë historisë. Nuk mungojnë vlerësimet se ka qenë më i miri.



Jumbo-Visma dhe shndërrimi (vërtetimi) i biçiklizmit në “sport ekipor”

Çiklizmi konsiderohet sport individual. Por, sivjet si në rastin e fituesit, ashtu edhe të humbësit, u vërtetua se çiklizmi është mbi të gjitha apo paralelisht sport ekipor. Kjo tregohet si në rastin e Jumbo-Vismas i cili ekip përmes Jonas Vingegaardit triumfoi, si në rastin e ekipit UAE biçiklisti i të cilit Tadej Pogačar humbi, përkatësisht nuk i rezistoi presionit ekipor të Jumbo-Vismas.

Tour de France

Ekipi holandez Jumbo-Visma tanimë ka një traumë nga viti 2020 kur ylli dhe favoriti i atëhershëm i Turit, slloveni tjetër Primož Roglič e kishte humbur trofeun në etapën e parafundit të garës individuale kundër kronometrit (renditja e garës së parafundit është edhe finale, ngase në Tur traditë është që në etapën e fundit solemne në Paris, nuk atakohet lideri i klasifikimit të përgjithshëm). Edhe vjet, Rogliči pas rrëzimit të keq, u detyrua të tërhiqet nga gara para kohe, por Jumbo arriti megjithatë që përmes Vingegaardit të marrë pozitën e dytë.
Jumbo-Visma edhe sivjet erdhi me armatim të rëndë. Edhe pse Rogliči (që sërish u detyrua të tërhiqet, këtë herë nga virusi) dhe Vingegaardi do të ishin konkurrentë për klasifikimin e pëgjithshëm, një lloj shtytësi, kapiteni apo frymëzuesi i garës së sivjetme është padyshim belgjikani Wout van Aert. Po qe se në çiklizëm do të kishte pasur titull të MVP apo MVC në këtë rast (most valuable cyclist), çmimi mendoj se do të merrej unanimisht nga komuniteti çiklistik.

Wout van Aert @ Tour de France 2022

Van Aerti, sprinter për nga natyra, në javën e parë mbajti fanellën e verdhë, kurse në javën e dytë, përkundër predispozitave të sprinterit, udhëhoqi Vingegaardin dhe ekipin e tij nëpër malet e Alpeve, aty ku edhe në etapat e 11-të dhe 12-të u thye rezistenca e Pogačarit dhe gjithkujt tjetër. Në etapën e 11-të, sulmet dhe ikjet e organizuara që u udhëhoqën herë nga Rogliči, herë nga Vingegaardi, herë nga Laporti dhe herë nga van Aerti, e lanë Pogačarin të pambrojtur dhe të pambështetur nga ekipi i tij, me përjashtim të Majkas (ndikuar edhe nga pak çiklistë të mbetur të UAE për shkak të tërheqjeve), prandaj epërsia kritike prej 2 minutash dhe konfiskimi i fanellës së verdhë nga Vingegaardi erdhën në Col du Granonin e famshëm. Tortura ndaj Pogačarit vazhdoi edhe në ngjitjen e etapës së 12-të në majen ikonike të Alp d’Huezit, sërish nën orkestrimin e van Aertit maestral.



Java e tretë, Turi më i shpejtë

Është zakon që në Turet e mëdha disajavore, etapat malore të fitohen ose nga ngjitësit më të mirë, ose nga pretendentët kryesorë për klasifikimin e përgjithshëm – në këto raste zakonisht një grup çiklistësh shkëputen, grupet apo individët e sulmojnë njëri-tjetrin dhe ai që arrin të ikën nga mesi apo nga fundi arrin edhe i pari në maje, ku zakonisht vendoset përfundimi i etapës. Kurse etapat e rrafshta dhe ato pyllore fitohen zakonisht nga sprinterët. Në këso lloj etapash, çiklistët garojnë zakonisht në grup, edhe nëse krijohet ndonjë grup i ikjes ai shpesh kapet nga pelotoni (grupi kryesor) dhe përfundimi i garës bëhet me sprint të fuqishëm, ku fituesin shpesh e përcakton fotofinishi.

Vingegaard

Sivjet ka pasur shumë pak përfundime me fotofinish apo sprint. Ka pasur numër më të madh pretendentësh në klasifikimin e përgjithshëm, ka pasur më shumë sulme brenda etapave të rrafshta, pelotoni shpesh ka qenë i ndarë, prandaj edhe fituesi zakonisht është përcaktuar disa metra apo kilometra para finishit. Kjo ka bërë të ketë më shumë luhatje në distanca kohore dhe i ka shtuar aksion brendisë së etapës. Siç thoshte, gazetari turk në transmetimin e Eurosport 1, “ka pasur më pak kohë për gazetarët që të flasin për veçoritë kulturore dhe arkitekturale nga kalon Turi”.
Ky element e ka bërë Turin e sivjetmë të jetë më i shpejti në histori, bazuar në kohën dhe kilometrat e kaluar.



Sporti dhe çiklizmi – fair play

Në etapën e 19-të e cila ishte edhe e fundit në të cilën Pogačari do të mund të bënte diçka për ta zbutur diferencën kohore prej 2 minutash e 18 sekondash ndaj liderit Vingegaard, pamë sulme të parreshtura të sllovenit dhe tentativa për të ikur. Asnjëri prej tyre nuk rezultoi me sukses. Në njërin prej tyre, gjatë zbritjes së shpejtë, Pogačari u rrëzua, u përmblodh shpejt dhe përkundër gërvishtjes dhe lëndimit të këmbës së majtë i hipi biçikletës iu qep pas Vingegaardit që ndërkohë ishte larguar më shumë se 10 sekonda.

Pogacar & Vingegaard @ tour de france 2022

Në vend se të ikte (që me gjasë ishte e mundshme) dhe ta shtonte diferencën (që me gjasë do ta bënte), danezi vendosi të ngadalësohej dhe ta priste sllovenin. Duke e pyetur me gjasë “si je, a je mirë”, ia zgjati dorën dhe u shkrep në ato çaste momenti ikonik i Turit të sivjetmë dhe i shumë të tjerëve që do të vijnë, momenti ikonik i sportit në përgjithësi, takimi dorë për dore i kampionit të madh që po lindte dhe i atij që me dy tituj tanimë ishte bërë i madh.

Tour de France 2022

Pritja e Vingegaardit përtej xhentëlmenllëkut ishte shenjë e vetëbesimit të pafund, ishte shenjë e bindjes në fuqinë e vetë se në kushte të barabarta me kundërshtarin, megjithatë ndjente se mund ta mposhtte. Van Aerti i çeliktë, i ekipit, i shpirtit ekipor, i cili kishte ikur në këtë etapë, i priti të dytë. Vetëbesimi i Vingegaardit doli në pah, e bëri një atak të fundit, i iku Pogačarit, shtoi edhe 1 minutë të tërë në avantazh, dhe pas Alpeve, i pushtoi edhe Pirinejet. Nuk harroi ta shpërblente për mundin van Aertin. Kur në etapën e nesërme, të 20-të, kundër kohës, e pa që Pogačari nuk do të mund ta kalonte dhe kur u qartësua titulli i tij, u ngadalësua para finishit dhe ia lejoi belgjikanit ta merrte etapën e 20-të. Me lot në sy, van Aerti përfundoi me fanellë të blertë, Vingegaardi me atë më të lavdishmen, të verdhën (bashkë me atë me pika të kuqe për malorin më të mirë). Ngushëllimi për Tadej Pogačarin mbeti fanella e bardhë, e ngasësit më të mirë të ri – që tregon se sa i ri është ky njeri dhe me gjasë ka për të fituar shumë tituj të tjerë.

Në internet qarkullon një video-reportazh i një televizioni danez i para 5 viteve ku bëhet fjalë për një çiklist të ri dhe me perspektivë, të quajtur Jonas Vingegaard, i cili përveç stërvitjeve të zakonshme punon me gjysmë orari edhe në një punëtori për paketimin e peshqve. Sa amatore dhe e vështirë mund të jetë rruga e një çiklisti deri te majet, po aq është edhe vrulli dhe vendosmëria e një atleti për ta arritur atë.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera