BOKS
Donjeta Sadiku kushtëzohet me simbole, nuk udhëton në Botërorin e boksit!
Teksti: KOK
14 March, 2023 @10:50
Medalistja e bronztë e botës dhe Evropës, Donjeta Sadiku, përfundimisht nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që nis sot në Neë Delhi të Indisë.
Përkundër se Ministria e Jashtme e Indisë, dha të hënën ‘dritën e gjelbërt’ për marrjen e vizës për ekipin tonë, disa orë më vonë Federatës së Boksit të Kosovës, iu kushtëzua pjesëmarrja e Donjetës.
Organizatori i Kampionatit bëri me dije se pjesëmarrja e boksieres tonë mund të bëhet vetëm me dy kushtet e vëna: Flamuri i Kosovës dhe himni shtetëror nuk do të përdoren në ndonjërën nga ceremonitë gjatë kampionatit botëror, si dhe pjesëmarrësit e Kosovës nuk do të lejohen të bartin flamurin e tyre, qoftë edhe në veshjet e tyre në formë të printuar.
Duke parë këto kushte dhe diskriminimin e bërë nga shteti i Indisë, FBOXK në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, vendosi të mos udhëtojë fare drejt Indisë.
Kjo është hera e tretë që Sadikut i mohohet pjesëmarrja në Kampionatet Botërore në Indi dhe njëherit mundësia për të fituar një tjetër medalje botërore.