TRAJNERI I KHF PRISHTINA
Prishtina ka ekipin më të ri në Europë
Teksti: FHK
10 September, 2017 @17:54
Ndonëse KHF Prishtina humbi thellë ndeshjen e parë të Kupës së EHF-së, trajneri i kësaj skuadre, Rubin Kuzmanoski është optimist për të ardhmen.
Hendbollistet e Prishtinës të shtunën (dje) pësuan nga Bruehli zviceran me rezultatin 34:11, në ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupës së EHF-së. Ndeshja e dytë luhet të dielen (sot) nga ora 15:00 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku u zhvillua edhe ndeshja e parë. Prishtina ka në përbërje lojtare me moshë shumë të re që nuk ia dolën të përballojnë forcën e ekipit cilësor dhe me përvojë zviceran.
“Edicionin e kaluar kemi pasur ekip shumë më të fortë dhe kemi humbur edhe më thellë nga një ekip nga Zvicra, që është më i dobtë se Bruehli. KHF Prishtina këtë edicion është e përbërë nga vajza që kanë 17, 18 e 19 vjet. Ekip më të ri se Prishtina nuk ka asnjë klub që garon në kupa evropiane”, ka thënë Kuzmanoski.
Prishtina është kampione e Kosovës, ndërsa Kuzmanoski ka parë elemente që e bëjnë të besojë në një tjetër edicion të suksesshëm në kampionatin e Kosovës.
“Vajzat janë të reja dhe pa përvojë për këto gara, por jam i kënaqur me çasjen e tyre, sidomos në pjesën e parë.Kanë treguar dëshirë për t’u dëshmuar dhe prej minutës së dhjetë deri në fund të pjesës së parë kam parë që ky ekip ngadalë do të jetë hit në kampionatin vendorë. Koha punon për këto lojtare pasi janë shumë të reja dhe me perspektivë. Koha do të dëshmojë këtë”, ka thënë Kuzmanoski.
Ai vlerëson se Prishtina po shkon në rrugën e duhur dhe se do të jetë më e fortë se që ishte.
“Klubi do të ketë ekip për 5-6 vitet e ardhshme dhe do të luajë rolin kryesor në kampionatin vendor”.