EUROPEAN CUPS
Beshiri: Atmosfera e mirë, presim përkrahjen e Plisave
10 October, 2018 @11:25
Fundjavën që vjen, tre klube hendbollistike të Kosovës do të marrin pjesë në garat evropiane të hendbollit. Një prej tyre në EHF Cup e dy të tjera në European Challenge Cup.
Besa Famgas, e cila u mposht 37-26 në ndeshjen e parë, do të përballet me skuadrën Drammen në ndeshjen kthyese në Pejë ditën e shtunë me fillim nga ora 19:00. Për dallim prej Besës që luajti në EHF Cup, raundin e dytë të European Challenge Cup do ta shijojnë Kastrioti, që ndeshet me Talinin e Estonisë më 13 dhe 14 tetor, dhe Prishtina, që luan ndaj skuadrës ukraines Zaporozhye.
Pas marrëveshjes mes klubeve për shkak të problemeve me viza, të dyja ndeshjet e Prishtinës luhen në kryeqytet. E para të shtunën me fillim nga ora 17:30, kurse e dyta menjëherë të dielën me fillim nga ora 14:00.
Rreth paraqitjes në garat evropiane, për TopSporti.com u shpreh Oltion Beshiri, hendbollisti i Prishtinës.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe po shpresojmë në përkrahjen e tifozëve më të mirë në Botë, Plisave, si dhe qytetarëve të Prishtinës për ta kaluar me sukses këtë fazë.
Ekipi nga Ukraina është shumë i mirë dhe me përvojë, prandaj na duhet angazhim maksimal.” - u shpreh Beshiri, që përveç skuadrës së Prishtinës, është edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës në hendboll.
Raportin për ecurinë e tri klubeve kosovare në garat evropiane e gjeni te TopSporti ditën e hënë.