FORMULA 1
F1 ndërpren kontratën me GP të Rusisë
3 March, 2022 @15:07
Përmes një njoftimi zyrtar në faqen e saj, drejtuesit e Formula 1, kanë bërë të ditur se kanë ndërprerë kontratën me promotorin e garës për çmimin e madh të Rusisë.
Me këtë, Rusia si shtet nuk do të ketë garë që mund ta organizojë në kuadër të Formula 1.
“Formula 1 mund të konfirmojë që sot ka ndërprerë kontratën me promotorin e Russia Grand Prix. Javën e kaluar F1 ka bërë të ditur se është e pamundur që të mbajë garën e Russian GP 2022 në situatën që po mbretëron aktualisht,” ka shkruar njoftimi i F1.
Gara për Çmimin e madh të Rusisë ka qenë e planifikuar të mbahet gjatë shtatorit të këtij viti, në datat 23-25 shtator. Pista për F1 e Rusisë është në qytetin që ka qenë nikoqir edhe i Lojërave Olimpike, Sochi, qytet bregdetar në Detin e Zi.