FORMULA 2
Vështirësitë financiare, detyrojnë tërheqjen e Lirim Zendelit nga Formula 2
3 November, 2021 @15:19
Njëri ndër pilotët më shpresëdhënës Lirim Zendeli, përmes një njoftimi në rrjete sociale ka bërë të ditur se po tërhiqet nga Formula 2 për shkaqe financiare! Ai nuk do të mund të vazhdojë garat aty, pasi që pandemia ka krijuar vështirësi financiare te mbështetësit dhe kështu tërheqja është opsioni i vetëm i mbetur për pilotin shqiptar.
Garuesi i MP Motorsport ka falenderuar mbështetësit e deritashëm, ndërsa ka theksuar se do të përpiqet që të gjejë mundësi tjetër për t’iu rikthyer sportit të tij të zemrës.
Zendeli 22-vjeçar u bë kampion i Formula 4 në vitin 2018, në Formula 3 përfundoi i teti në renditjen e përgjithshme, ndërsa në fund të vitit të kaluar mori të drejtën për tu bërë pjesë e Formula 2.
Përndryshe Zendeli në Formula 2 këtë vit është i renditur i 17-ti nga 25 garues në kampionat, ndërsa ka marrë pjesë në garat e Bahreinit, Monakos, Azerbajxhanit, Britanisë, Italisë dhe Rusisë, kurse deri në fund të vitit kanë mbetur edhe dy gara tjera, ajo e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Suksesi më i madh i tij këtë vit në Formula 2 ka qenë xhiroja më e shpejtë e bërë në garën e parë të stinorit në Bahrain GP.
Zendeli garon si shtetas i Gjermanisë dhe ka prejardhje shqiptare.