VIZITA
Hendbolli në Prizren, mund të këndellet
30 October, 2015 @12:24
Në dekadën e fundit, hendbolli në Prizren, nuk ka mundësi të ngritet në Superligë. Ekipi KH Prizreni me vite të tëra po garon në Ligën e Parë që është niveli i dytë i garave në Kosovë.
Mirëpo, një vizitë e kryetarit të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Eugen Saraçini, në Prizren ku është takuar me krerët e Komunës së këtij qyteti, jep shpresa për ringjallje të këtij sporti në këtë Komunë, ka bërë të ditur FHK përmes njoftimit në faqen zyrtare.
Saraçini bile ka premtuar një ndeshje të përfaqësueses së Kosovës në Prizren, ashtu që të ngritet nami i dikurshëm që Prizreni kishte në këtë sport.
KH Prizreni është aktualisht në vend të fundit të Ligës së Parë me dy disftata nga dy ndeshjet e para të stinorit, derisa aty garojnë kryesisht ekipe nga qytezat e Kosovës.
Lider i Ligës së Parë është Deçani, pastaj me radhë renditen Llapi, KEK-u, Istogu, Lepenci, Vjosa e Rahoveci i parafundit.
Ekipet kosovare bashkë me përfaqësuesen tashmë janë të pranuara nga Europa dhe Bota, EHF dhe IHF dhe skuadrat kosovare rregullisht marrin pjesë në gara ndërkombëtare, edhepse nuk kanë treguar ndonjë sukses të madh aty.