AUTOSPORTS
Kalenderi, mbreti i shpejtësisë në Kosovë
Teksti: FASK
25 October, 2015 @21:54
Në garën e së dielës Liridon Kalenderi ishte dukshëm më i shpejtë se rivali i tij kryesor, Valdet Krasniqi. Garuesi prizrenas e pati kohën prej 3:15.736 minuta, duke qenë më i shpejtë se Krasniqi për 14.973 sekonda.
“Së pari dëshiroj të shpreh respektin për të gjithë garuesit, për anëtarët e FASK-ut, sepse është bërë një punë e madhe. Natyrisht që jam i kënaqur edhe me suksesin e arritur, aq më tepër duke marrë parasysh se automobilizmi nuk është sport i lehtë, pasi kërkon sakrificë dhe investime. Besoj që në vitin e ardhshëm do të punojmë edhe më shumë dhe të arrijmë rezultate të mira edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Kalenderi pas përfundimit të garës.
Konkurrencë e madhe ishte në kategorinë e parë dhe të dytë, të cilat në fund u fituan nga Bekim Kovaçi dhe Alban Berisha, ndërsa në kategorinë e tretë, të katërt dhe të gjashtë, ashtu siç pritej triumfuan Përparim Dushi, Arbnor Musliu dhe Bardhyl Canolli. Madje ky i fundit ishte mjaft i suksesshëm edhe në plasmanin e përgjithshëm, duke u renditur në pozitën e dytë.
Në garën e kësaj fundjave mysafirë të FASK-ut ishin edhe disa nga garuesit më të mirë të Malit të Zi, të cilët u ndanë të kënaqur me mikpritjen dhe organizimin.
Renditja e përgjithshme:
1 | Liridon Kalenderi | |||
2 | Bardhyl Canolli | |||
3 | Valdet Krasniqi |
Renditja në konkurencën ekipore:
1 | Prizreni D&G | |||
2 | Prishtina RT | |||
3 | Ferizaj |