Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KËNDI I BLERIMIT

Vërtetimi i dominimit të Jumbo-Vismas dhe Vingegaardit

Creator: David Ramos
|
Credit: Getty Images
Copyright: 2023 Getty Images

Vërtetimi i dominimit të Jumbo-Vismas dhe Vingegaardit


Shkruan: Blerim Myftiu

28 July, 2023 @11:47

Çiklizmi dhe karakteri ekipor i tij


Në shkrimin e vitit të kaluar për Le Tour de France 2022, pata nënvizuar se sa sport individual të jetë në dukje, megjithatë çiklizmi është sport ekipor. Si secili sport tjetër ekipor, e ka liderin, e ka sprinterin, e ka malorin, e ka kapitenin dhe e ka pretendentin kryesor për fitimin e klasifikimit të përgjithshëm. Në këtë mes, i tërë ekipi (në rastin e Turit, ekipi përbëhet nga 8 çiklistë) ka për detyrë që për tri javë t’i koordinojë detyrat në mënyrë që pretendentin kryesor ta mbajë në fanellën e verdhë deri në Bulevardin Champs-Élysée të Parisit, për t’u kurorëzuar me madhështinë.
Sikur që ekipi holandez verdhezi, Jumbo-Visma, bëri vitin e kaluar, kur me sulme të koordinuara gjatë javës së dytë dhe të tretë të Turit, sidomos në etapat malore, arriti ta thyejë rezistencën e Pogačarit dhe ta shpie Vingegaardin në krye të klasifikimit, veproi edhe sivjet. Treni i tyre kontrolloi në çdo etapë pelotonin, tempin, shpejtoi aty ku deshi, u ngjit në male më shpejt atëherë kur synoi dhe kapiteni Wout van Aert përveç se e kreu detyrën duke ia mundësuar Vingegaardit titullin e dytë rresht, iu gëzua kësaj kur një ditë para finales u tërhoq nga gara për të qenë pranë bashkëshortes që lindi fëmijën e tyre të dytë.

Pogačari i dobët apo Vingegaardi shumë i fortë


Kronometri i etapës së 16-të dhe etapa brutale malore me finish në resortin dimëror elitar të Courchevelit ishin pikat kthyese të Turit të sivjetmë. Pas përfundimit të javës së dytë, në ditën e pushimit të së hënës qarkulluan shumë “meme” në internet ku Pogačar dhe Vingegaard, në ditën e pushimit madje, ishin të pandashëm dhe pinin kafe së bashku. Kjo, si metaforë e asaj që danezi dhe slloveni dy javët e para kaluan rrotë pas rrote, të pandarë, në shi e diell, rrafsh e male dhe me distancë 10 sekondash para fillimit të javës së fundit.
Kronometri, që këtë herë ishte vendosur në mes të Turit (befasi e përhershme e vendosjes së kronometrit nga organizatorët) shihej si pikë e fortë e Pogačarit. Për kujtesë, ia kishte vjedhur Turin me 2020 bashkëkombësit Roglič në etapën e fundit. Gjithmonë Pogačar triumfonte në garat kundër kohës. Por, kësaj ndodhi pak e pritura. Jonas Vingegaard triumfoi dhe atë jo me diferencë sekondash, por plot 1 minutë e 38 sekonda para Pogačarit. Për mbështetësit e tezës se Pogačari ishte i dobët, mjafton të thuhet se po ky Pogačar përfundoi një minutë e ca përpara një kronometristi tjetër të pashoq, si van Aert!
Dëshminë për përgatitjen e fortë fizike dhe psikike Vingegaardi e tregoi menjëherë të nesërmen kur Pogačar në ngjitjen e parafundit bëri deklaratën ikonike në radion ekipore. “I am dead. I am f….d”. Diferenca u ngjit në gati 8 minuta dhe dëmi ishte i pakthyeshëm.

Përgatitja


Pogačari dhe Vingegaardi zgjodhën dy modele të ndryshme të përgatitjes për këtë Tur. Slloveni preferoi të ishte më aktiv dhe të përgatitej duke marrë pjesë në sa më shumë gara. Fitoi së pari dy gara etapore, atë të Andaluzisë dhe të Paris-Nicës. Më pas triumfoi në tri gara klasike njëditore pranverore, në Flandër (Ronde van Vlaanderen), garën e Amstelit dhe në La Flèche Vallonne. Në fillim të klasikut tjetër Liège-Bastogne-Liège, u përplas me një çiklist tjetër dhe e theu dorën. Një arsye ndoshta e performancës më të dobët sivjet.
Danezi preferoi të merrte pjesë në gara të kalibrit më të ulët. Në Paris-Nicë u rendit i treti, e fitoi Xhiron e Baskisë (aty ku filloi sivjet Turi) dhe e fitoi garën që konsiderohet parapërgatitore e Turit – Critérium du Dauphiné. U tërhoq ndërmjet në kampe, e rriti formën gradualisht, iu shmang lëndimeve dhe e piketoi Turin. Nëse kjo lloj përgatitjeje më pak agresive, më pak ekspozuese ishte çelësi i distancës së krijuar në etapat 16 dhe 17 sivjet, mbetet debat diskutimi.
Ia vlen të ceket një detaj tjetër i zhvillimit teknik në të cilin ka arritur sporti i biçiklizmit. Aty ku ligjet fizike dhe dinamika kanë shumë rëndësi – gara kundër kohës apo kronometri – secili detaj, që prej kasketës, pozitës së trupit deri te pajisjet e biçikletës, ka rëndësi. Kështu që ekipi i Jumbo-Vismas e ka gërryer ngjyrën e biçikletës së Vingegaardit duke mundësuar uljen e peshës së biçikletës për 150-200 gramë, që atë e ka bërë më aerodinamike dhe sigurisht i ka siguruar disa m/s shpejtësi dhe disa sekonda avantazh.

Cavendish, Philipsen, Pinot, efekti Netflix


Legjenda belgjikane e çiklizmit në pension, Eddie Merckx dhe ai britanik aktiv, Mark Cavendish, e ndajnë rekordin për etapa të fituara në Turin francez me nga 34. Në pranverën e sivjetme, Cavendish bëri publik lajmin se në moshën 38-vjeçe po pensionohet dhe se Turi i sivjetmë në të cilin do të synonte fitimin e së paku një etape për t’u mëvetësuar në listën e rekorderëve do të ishte i fundit. Në javën e parë nuk arriti të shpërthente në asnjë sprint dhe në etapën e tetë u rrëzua duke e lënduar supin e djathtë me të cilin lëndim mbeti jashtë garës. Ekipi i tij Astana i ka ofruar zgjatjen e kontratës për edhe një vit, në mënyrë që në Turin e vitit të ardhshëm ta ketë mundësinë e re për rekord, por Cavendish ende nuk është deklaruar.
Stafeta e sprinterit duket se i ka kaluar belgjikanit, Jasper Philipsen, i cili fitoi katër etapa sivjet dhe në javën e parë ishte fajtori kryesor që e pengoi Cavendishin në arritjen e qëllimit. Ishte afër edhe 2 fitoreve të tjera, me të cilat do ta barazonte rekordin e etapave të fituara brenda një Turi.
Francezi Thibaut Pinot e pati mundësinë që në malet e vendlindjes, në ato shtigje ku ka lindur si çiklist, t’i jepte lamtumirën karrierës së tij. Ai udhëhoqi për pak çaste në etapën e parafundit, por u mposht në kilometrat finalë nga Pogačari. Megjithatë, mijëra mbështetës të tij nuk u penguan që të vërshonin majat e Alpeve për t’i dhënë përkrahje idhullit të tyre.
E ky vërshim spektatorësh në disa raste paraqitën probleme organizatorëve. Shtigjet e ngushta të majave të Pirinejve dhe Alpeve shkaktuan edhe rrëzime dhe lëndime të çiklistëve dhe shumë kritika në adresë të organizatorëve. Po të mos e bllokonte motoçikleta e mediave atakun e Pogačarit në javën e dytë ndaj Vingegaardit, ndoshta e tërë ecuria do të ishte ndryshe. Kjo rritje e spektatorëve iu atribuua edhe efektit të Netflixit që pak para fillimit të Turit të sivjetmë e lansoi dokumentarin për Turin e 2022-s (ngjashëm me dokumentarët për Formula 1). Kjo natyrisht që e shtoi popullaritetin e ngjarjes kryesore çiklistike në botë, por në anën tjetër, shumë njerëz “laikë” u gjetën në maja duke ndjekur një çast ikonik nëpër selfiet e tyre.◼️


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera