Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MATCH REPORT: ISLANDA - KOSOVA

Kosova pëson me diferencë të njëjtë edhe humbjen e dytë

Foto: FIBA

Kosova pëson me diferencë të njëjtë edhe humbjen e dytë


28 November, 2020 @17:42

Përfaqësuesja e Kosovës do të kthehet në Kosovë me dy humbje të pësuara nga duelet e fundit në kuadër të Grupit 2 të para-kualifikimeve për Botërorin 2023.

Pas disfatës me 24 pikë dallim nga Sllovakia, Kosova me të njëjtin dallim ka pësuar edhe nga Islanda për të prishur bilansin pozitiv 2-0 që e kishte në 2-2 aktualisht dhe tashmë rrezikon kalimin në fazën tjetër të kualifikimeve.

Islanda, dukshëm më e mirë se Kosova në secilin aspekt, pas startit të dobët mori lojën në dorë dhe dalëngadalë ngriste epërsinë për të arritur te përfundimtarja lehtë 86-62 [21-17, 24-12, 22-14 dhe 19-19].

Në dy minutat e para të lojës nuk u shënuan pikë, derisa serinë e pikëve për Kosovën e nisi kapiteni Drilon Hajrizi. Por, pas arritjes së epërsisë së parë nga Islanda, gjithçka u bë e vështirë për dardanët, që s’kishin fuqi të kthehen në lojë.

Hordur Vilhjalmsson ka qenë i jashtëzakonshëm te islandezët. Ai me 22 pikë, 8 kërcime e 4 asistime ka qenë arma kryesore e ishullorëve në fitore. Por, pos tij edhe 4 lojtarë tjerë kanë pasur paraqitje tejet të mirë, prej të cilëve më të dalluar Tryggvi Hlinason me 12 pikë e 9 kërcime, si dhe Jon Axel Gudmundsson me 13 pikë, 6 kërcime e 7 asistime.

Te Kosova i vetmi lojtar që arriti pikë dyshifrore ishte Valon Bunjaku. Ai dha 12 pikë e 4 asistime në lojë.

Christos Marmarinos, selektor i Kosovës, në këtë ndeshje i dha rast të paraqiten të gjithë lojtarëve. Minutazhë më të lartë kishte pikërisht Bunjaku me 28:23, ndërsa pas tij Erjon Kastrati me 28:07.

Bunjaku qe edhe lojtari më efiçent te Kosova me indeks 15, ndërsa sot asnjëri s’ishte në minus, pos Fisnik Rugovës që kishte indeksin 0.

Humbja, Kosovën e bën me bilans 2-2, ndërsa Islandën me 3-1, që merr kryesimin e grupit, derisa Kosova pritet të bie në pozitë të tretë pas ndeshjes Sllovakia-Luksemburgu që zhvillohet më vonë.

Duelet e radhës, që zhvillohen në muajin shkurt të vitit tjetër pritet të përcaktojnë fatin përfundimtar të Kosovës për kualifikim, ku dardanët duhet të mposhtin Sllovakinë e Luksemburgut në ndeshjet e mbetura.


 
Të gjitha lajmet nga