NORA GJAKOVA

Medalja e dytë në Evropian, Nora Gjakova fiton të bronztën
16 April, 2021 @19:14
Nora Gjakova ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë.
Nora e mposhti me Ippon xhudisten gjeorgjiane, Eteri Liparteliani, në ndeshjen për vend të tretë në kategorinë deri në 57 kg.
Më parë në kategorinë deri në 48 kg medaljen e artë e fitoi Distria Krasniqi.
Nora deri te medalja e bronztë arriti duke i mposhtur xhudistet Carla Ubasart Mascaro (Spanjë), Daria Mezhetskaia (Rusi) derisa në gjysmëfinale u mposht nga portugezja, Telma Monteiro, e cila fitoi medaljen e artë.
Në kategorinë deri në 57 kg mori pjesë Flaka Loxha, e cila u mposht në ndeshjen e parë përballë finalistes tjetër në këtë kategori, Kaja Kajzer nga Sllovenia.
Kjo është hera e tretë që Nora Gjakova stoliset me medalje të bronztë në Evropian, pas atij të vitit 2016 dhe 2017, derisa më 2018 e kishte fituar të artën.