GRAND SLAM @ TBILISI
Distria e Nora - të argjendta në Tbilisi, kapin edhe pikë olimpike
24 March, 2023 @17:33
Dy të artat e Kosovës nga Olimpiada e Tokios, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, kanë marrë medaljet e argjendta në Grand Slamin e Tbilisit sot, derisa pas të gjitha luftërave, u mposhtën në finale për të siguruar nga 700 pikë olimpike secila si dhe medalje të argjendtë.
Distria në finale u mposht nga uzbekja Diyora Keldiyorova në finalen e kategorisë deri në 52 kilogramë. Ndërsa Nora pasi mposhti të gjitha kundërshtaret në finale u ndalë nga serbja Marica Perisic.
Xhudistet tona edhe njëherë treguan se janë në formë të lartë, ndërsa sipas komentit të trajnerit Driton Kuka, mungesa e koncentrimit bëri që ato të humbin finalet. Gjithashtu, Kuka bëri të ditur se ai kishte sygjeruar Distrinë që të mos garonte fare për shkak të një problemi shëndetësor, ndërsa kjo përkundër të gjithave vendosi të garojë dhe të arrijë deri te medalja.
Ndërsa sa i përket Norës, ai ka thënë fitorja ndaj kanadezes Jessica Klimkait në gjysmëfinale si një kundërshtare e fortë ka qenë sinjal se ajo është e gatshme për skenën e madhe, ndërsa sa i përket humbjes së saj në finale që erdhi me vendim referësh, e ka quajtur si “gabim” referësh.