LEAGUE CUP

REUTERS
Sunderland thellon krizën e Man Utd
22 January, 2014 @23:45
Manchester Unitedit me eliminimin katastrofal të sontëm i vuloset kërkimi urgjent për ndërrime në ekip. Djelmoshat e David Moyesit nuk kanë arritur të kalojnë pengesën Sunderland në kuadër të Kupës së Ligës, duke u eliminuar pas goditjeve të penalltive.
Manchester United përfundoi kohën e rregullt të takimit 1-0, me golin e qendërmbrojtësit Jonny Evans dhe për shkak të rezultatit të përgjithshëm 2-2, ndeshja u desht të shkojë në vazhdime.
E në vazhdime, Sunderland shënoi një minutë pa përfunduar ato, mirëpo kosovari Adnan Januzaj u përkujdes që të organizojë vetë akcionin që çoi te goli i Javier Hernandezit për të përfunduar ndeshja 2-1, për Manchesterin, që do të thoshte se duhen ekzekutuar penalltitë.
E pas goditjes së penalltive, Sunderland arriti të kualifikohet në finale të Kupës së Ligës, duke e mposhtur Manchester Unitedin 1-2, derisa Adnan Januzaj ishte ndër dështuesit nga pika e bardhë.
E ku është Manchester United sot, vetëm gjysmë stinori pas ardhjes së Moyesit në krye të saj, tregojnë edhe penalltitë. Nga 5 të ekzekutuara, vetëm një e qëlluar.
Sidoqoftë, Sunderland i Gustavo Poyetit, shikuar në fund, meritoi kualifikimin në finale për shkak të qëndrueshmërisë dhe luftës së treguar, derisa në finale do të ndeshen me makinerinë e golave, Manchester City.