ISMET MUNISHI
Vendim i papritur
18 May, 2016 @15:39
Trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi, është shprehur të jetë befasuar nga vendimi i UEFA-së sot për mospjesëmarrjen e nënkampionit të Kosovës në gara ndërkombëtare.
Në një prononcim për koha.net Munishi ka thënë se i vjen keq për futbollistët si dhe ka humb Kosova me këtë.
“Nuk e kam pritur një vendim të tillë, pasi jemi pranuar me të drejta të plota. Ne si klub do të punojmë edhe më tepër dhe nuk do të ndalemi këtu. Kemi përballuar shumë gjëra dhe do ta përballojmë edhe këtë. Më vjen keq për futbollistët e mi,” ka thënë Munishi sot për portalin në fjalë duke shtuar, “Ekipi që do ta kishte paraqitur më së miri futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare nuk po shkon. Me këtë ka humb shumë edhe Kosova.”
Në mbledhjen e KE të UEFA-së sot, është kumtuar që nga Kosova për stinorin tjetër do të pranohen dy ekipe në gara ndërkombëtare.
Kampioni (Ferronikeli) do të hyjë në kualifikime për Ligë të Kampionëve, kurse fituesi i Kupës (ende i papërcaktuar) në kualifikime për Europa Ligë.