NGA ASAMBLEJA BALLKANIKE E VOLEJBOLLIT
3 organizime ndërkombëtare të volejbollit nga FVK
Teksti: FVK
24 January, 2022 @14:34
FVK kthehet me lajme të jashtëzakonshme nga Asambleja Ballkanike e Volejbollit që u mbajt më 22 janar, në Shkup.
Drejtuesit e Federatës së Volejbollit të Kosovës; kryetari Bahri Gjinovci, nënkryetarja Mimoza Shkodra dhe sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi, morën pjesën në Asamblenë e 23-të Ballkanike të Volejbollit.
Në këtë mbledhje u vendos për organizatorët, datat dhe aktivitetet e vitit 2022, teksa Kosova - falë gatishmërisë dhe vendosmërisë së kryesisë së FVK-së - arriti të sigurojë të drejtën për organizimin e Kampionatit Ballkanik U20 meshkujt, organizimin e garës ‘Beach Volley’ U22 femrat dhe ‘Beach Volley’ U22 meshkujt.
Për sigurimin e të drejtës së organizimit të këtyre garave pati konkurrencë të madhe ndërshtetërore por FVK eventualisht arriti të bindë nikoqirët e kësaj asambleje se Kosova është vendi më i denjë për zhvillimin e aktiviteteve të lartëpërmendura.
Datat kur do të luhen këto gara do të caktohen në vijim por që pritet të zënë vend gjatë korrikut ose gushtit të vitit 2022.
Veç kësaj, Kosova do të jetë pjesmarrëse edhe në aktivitetet e volejbollit dhe ‘Beach Volley’ që organizohen nga federatat tjera.
Vlen të ceket se, në mesin e përfaqësuesve të federatave ballkanike, në këtë asamble morën pjesë edhe kryetari i Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV) Aleksandar Boricic, zëvendës-kryetari Reanto Arena dhe drejtori për zhvillim Ozkan Mutlugil.