LUANI (B)ANALIZON

Barcelona e Irlandës
8 January, 2016 @23:02
Irlanda
E renditur e 36ta në kampionatet kombëtare të UEFA-s, Liga e Irlandës ka njohur deri më tani 19 kampionë. Nga këta, Shamrock Rovers ka fituar 17 tituj. Në ligën që organizon ndeshjet kryesisht të premteve, zhvillohen 33 xhiro nga muaji mars deri në tetor. Këtë vit kampion u shpall përsëri Dundalk duke mbrojtur titullin e fituar vitin e kaluar.
Ngjashëm si Irlanda, edhe Ishujt Faro, Islanda, dhe vendet nordike e baltike, organizojnë kampionatet e tyre në vite kalendarike duke kursyer veten nga llogaritë dhe statistikat që shpërndahen në dy vite dhe një sezon në ligat kryesore evropiane.
Barcelona
Ishte bërë bujë, disa vite më parë me rekordin e thyer të Lionel Messit duke shënuar disa gola në një vit kalendarit, për të kaluar Gerd Mullerin e Bayernit. Me tu shfaqur rekordi i një kamerunasi që kishte shënuar edhe më shumë gola, liga e Kamerunit (ka qenë ligë afrikane!) duhej të zhdukej nga lista e ligave të futbollit, pasi që nuk kishte me Messin.
Mercenarët dhe fansat e Barcelonës janë ringjallur përsëri këtë ndërrim motesh duke dhënë statistika të ndryshme se si treshja sulmuese Messi, Neymar, Suarez kanë shënuar kaq e aq gola dhe askush nga ta nuk ka arritur të bëj këtë. Dikush numëron edhe golat e miqësoreve, dikush nuk numëron këta gola, dikush veç të La Ligës, dikush të Kupës së Katalunjës. Me një fjalë, llugë po shkon!
Që kur mbahet mend, futbolli është luajtur me 11 lojtarë. Me treshe nëse nuk gaboj luhet një lojë e përzier ndërmjet badmintonit dhe futbollit. Gjithashtu edhe forma e basketbollit 3me3. Sportet individuale përdorin dyshe, por, jo ato ekiporet. Përmenden sa për argëtim e kalim kohe, por nuk kanë kurrfarë rëndësie. Megjithatë, për barcelonistat ky është suksesi më i madh në botë. Gjithçka tani varet nga tre lojtarë, çdo ekip duhet të gjej tre lojtarë dhe të konkurroj një ‘rekord’ që nuk ka kurrfarë vlere në librat e historisë së futbollit, ngjashëm si kupat e kampionatet e Katalunisë e regjioneve të ndryshme, të cilat këta fansa i përdorin për të vendosur skuadrën e tyre si më të trofeshmen në botë.
Po të kërkonin dije dhe të hulumtonin pak edhe për ekipet tjera e lojtarët tjerë, këta fansa (jo krejt ‘blaugranat’ janë të njëjtë) do të kuptonin më shumë nga futbolli. Por, me një ndeshje në javë dhe vetëm një skuadër nuk përcaktohen më të mirët e njerëzimit. Për këta fansa, Victor Valdes, portjeri i tretë i ManUtd ka qenë më i miri i të gjitha kohërave dy vite më parë.
Shifrat
Barcelona ka pasur njërin nga sezonet më të mira në histori të ekipit. E ka sulmin ndoshta më të mirin në botë për momentin. Ama nëse provoni të gjeni statistika nga më të çuditshmet për të promovuar këtë sukses, për të dëshmuar gjoja se janë ‘alfabet’ i futbollit, atëherë vetëm sa humbi respektin që dikush ka për këtë ekip.
Nëse mendoni se Bravo është portjeri më i mirë në botë, Busquets mesfushori më i mirë defanziv i të gjitha kohërave, Messi lojtari më i mirë, dhe Barcelona skuadra më e mirë atëherë aman shikoni pak më shumë futboll (pos fansat e Busquets – ata duhet të shohin më shumë filma)
Për të definuar më të mirat e historisë së një sporti, një dekade, një viti, apo edhe një sezoni nuk mjafton të shikohet një ligë a po një ekip, për një apo dhjetë vjet. Kur të japim përfundime absolute duhet të kemi njohuri absolute. Këto nuk i ka asnjë qenie njerëzore.
Futbolli kryesisht luhet me sezonin vjeshtë-pranverë, jo me vite kalendarike (pos nëse jeni në ligën e Irlandës). Mos provoni të krijoni statistika të këtilla absurde. Shumë frikë do të dalin me statistika se kush ka shënuar më së shumti ditën e premte, apo kush ka shënuar në minutën e 77të të ndeshjes.
Statistikat që vlejnë janë titujt! Kupa e Botës, ajo e kontinentit, dhe varësisht nga vendi titujt kombëtar. Mësuesi i mirë në fillore ju ka mësuar të mos lavdëroni veten, por lejoni të tjerëve të ju lavdërojnë. Mos u bëni arrogantë. Kqyrni futboll.